Kurti: Votimi i së shtunës në Kuvend rikthen pazaret e Thaçit me Serbinë në kurriz të Kosovës

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka thënë se votimi i së shtunës në Kuvendin e Kosovës për ekip negociator ka rikthyer pazaret e presidentit të Kosovës Hashim Thaçi me Serbinë në kurriz të shtetësisë së Kosovës.

Kurti ka shtuar se Thaçi me fjalimin e tij në Këshillin e Sigurimit të OKB-së iu rikthye kohës kur fliste për kompromise të dhimbshme. “Të gjithë njerëzit e presidentit. Në fjalimin e tij të mbrëmshëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Thaçi tregoi se ka dalë nga vetmia e madhe dimërore”, ka shkruar Kurti.

Më tutje Kurti shton se, “ai (Thaçi) tha: ‘Në Kosovë, ne mbetemi të vendosur për paqe dhe dialog me Serbinë. Për këtë qëllim, Kuvendi i Kosovës javën e kaluar miratoi rezolutën për dialog dhe strukturën e ekipit negociator, me përfshirje pozitë-opozitë dhe shoqëri civile.” Për të vazhduar me: “Ne jemi gati për dialog. Ne jemi gati për vendime të vështira. (…) E di që nuk do të jetë aspak e lehtë. E di se marrëveshjet e kësaj natyre nuk janë shumë popullore. Por, ato janë të domosdoshme. (…) Me një marrëveshje paqësore finale Kosovë-Serbi, ligjërisht obliguese, pa kufij në baza etnike, pa shkëmbim popullatash, por me njohje reciproke si vende të pavarura e sovrane e shtete me shoqëri shumetnike’”.

‘Pra, Thaçi po i kthehet gjuhës së verës 2018, para protestës madhështore e masive të 29 shtatorit, po i kthehet kohës kur fliste për ‘kompromis të dhimbshëm’ dhe ‘korrigjim të kufijve’. Vëreni me kujdes, tash flet sërish për ‘vendime të vështira’ dhe kundërshton atë që e quan ‘shkëmbim popullatash’, por nuk flet për integritet territorial dhe nuk kundërshton shkëmbimin territorial dhe as ndarjen e Kosovës”, thotë Kurti.

Sipas Kurtit votimi i të shtunës mbrëma në Kuvendin e Kosovës mban përgjegjësi historike për rikthimin e Thaçit dhe të pazarit të tij me Serbinë në kurriz të shtetit dhe territorit të Kosovës. /©Kabllogrami/

 

Lexo edhe

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por mund të zgjedhni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë