Kurti: Marrëveshja Kosovë-Serbi e propozuar nga Haradinaj, sikur të ishte shkruar nga një shtet që s’e njeh Kosovën
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka treguar se ka pranuar draft-librin nga kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, që ka të bëjë me marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë, bën të ditur Kabllogrami.
Kurti tha se dokumenti është një material me 30 faqe nga Kryeministri i Kosovës si Marrëveshje gjithëpërfshirëse siç e parasheh ai, midis Kosovës dhe Serbisë, por që i njëjti thotë u është dorëzuar atyre në gjuhën angleze, e që, sipas tij, “qartazi nuk e kishte me neve e për neve, por, për ambasadorët e Quintit dhe me ta”.
Në këtë material 30 faqesh, Kurti thotë se qartazi flitet për parime, por qasja është joparimore, ndërsa thekson se dokumenti ngjan sikur ta ketë shkruar “ndonjë shtet i cili nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, e as ndonjë shtet që nuk na njeh neve, se lëre më këtë ta bëjë Qeveria e Kosovës siç është rasti tani”.
“Është mungesë frapante e parimit të reciprocitetit. Fjala reciprocitet nuk figuron askund në këto 30 faqe dhe është qasje tipike e subordinimit dhe e dominiumit. Jo e barazisë dhe e reciprocitetit. Mandej është një qasje e gjuhës së ndërmjetësuesit. Nëse do ta kisha lexuar pa autorin në “cover letter”, në letrën e parë, në fletën e parë atëherë do të kisha menduar se këtë material e ka shkruar ndonjë shtet i cili nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, e lëre më këtë ta bëjë Qeveria e Kosovës siç është rasti tani”, ka thënë Kurti në një konferencë për media, raporton Koha.net.
Ai thotë se më shumë se 100 pika fillojnë me shprehjen “palët”, por në përmbajtje shumica dërmuese e obligojnë Kosovën. Ndërsa, rreth 50 pika apo paragrafë shprehimisht i adresohen Kosovës dhe vetëm disa sosh, butësisht Serbisë.
“Problemi kryesor i mënyrës së bërjes së këtij dokumenti është që ai parasheh themelimin e një morie trupash, e komisionesh e ekipesh të përbashkëta midis Kosovës e Serbisë që në fakt e rilegjitimon pranin funksionale të Serbisë në Kosovë”, potencoi kreu i VV-së.
Kurti thotë se Qeveria fillimisht e votoi grupin negociator qeveritar, e ndërsa platforma për dialog është dashur të përpilohej nga po ky grup, por “qeveria tashmë na e ka sjellë marrëveshjen përfundimtare e gjithëpërfshirëse”.
“Të shtunën që shkoi votohet grupi negociator i Qeverisë, ndërkaq një ditë para është ‘Marrëveshja Gjithëpërfshirëse midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë’. Nga i njëjti Kryeministër. Pra, së pari Marrëveshja përfundimtare, mandej grupi negociator e shohim e bëjmë për platformë me parime e për kërkesat që duhet t’ia bëjmë Serbisë, ndërkohë që ai materiali 40 faqesh i raportit qeveritar për 33 marrëveshjet e deritanishme me Serbinë në kuadër të dialogut gjashtë vjeçar fare nuk është trajtuar në kuvendin e Republikës, është bllokuar në zyrën e Kryetarit të Kuvendit, dhe ka hyrë në muajin e gjashtë që nuk futet në agjendë parlamentare për seancë plenare”, tha Kurti.
Tutje, kreu i VV-së, njëherësh deputet në Kuvendin e Kosovës, thotë se në letrën e Haradinajt thuhet se çështjet e hapura me Serbinë që kërkojnë trajtim dhe zgjidhje “do të përmbyllen me njohjen reciproke”.
“Pra, njohja në fund. Ky është shërbim i madh Serbisë. Kërkesa jonë e parë është njohja, e ky i thotë Serbisë që kjo vjen në fund! Në fakt, nuk vjen as në fund, sepse në fund kërkohet veçse ulësja në OKB. Përkatësisht anëtarësimi i Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Këtë njohjen reciproke e kishte vetëm për ‘cover letter’ për liderët. Sepse, që nga pika 1.4 e kapitullit të parë (Marrëveshja Politike) e deri në faqe 29, parashikohet vetëm anëtarësimi në OKB. Vërejeni me kujdes, kur thuhet njohja nuk thuhet e pavarësisë, thuhet “njohja e ndërsjellët”. Por asgjë brenda nuk ka të bëjë me reciprocitetin pastaj. Pra, s’do mend që në këtë material nuk përmenden askund shqiptarët në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, shqiptarët në Serbi në përgjithësi. Nuk është e rastësishme që thuhet njohja pa e përmendur pavarësinë. Nuk është e rastësishme që në faqe 24 thuhet se Kosova e Serbia do të kenë misione diplomatike te njëra-tjetra dhe jo ambasada”, potencon Kurti.
Më tej, Kurti ka shtjelluar disa nga pikat e kësaj Marrëveshjeje, që do t’i sjellim të paedituara.
Në pikën e 6-të të Preambulës pranohet si legjitime e drejta e Serbisë për të avokuar për të drejtat e bashkësisë serbe në Kosovë, por asnjë fjalë për shqiptarët në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc dhe as për parimin e reciprocitetit.
Në pikën e 7-të të Preambulës përmendet e drejta e vetëvendosjes së popujve të shtypur, ndërkohë që kjo nuk përmendet në deklaratën e pavarësisë së Kosovës dhe as në Kushtetutën e Republikës sonë. Pra, po kërkon nga Serbia të ta pranojë ty atë që nuk ia ke pranuar e përshkruar vetes. Absurde.
Në pikën e 11-të të Preambulës merren përsipër obligimet e të gjitha marrëveshjeve të Brukselit përgjatë dialogut gjashtëvjeçar (2011-2017) për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Pas, demarkacionit me Malin e Zi, hapur, kryeministri Haradinaj po e pranon edhe ‘Zajednicën’ e Serbisë. Dje u bënë 10 muaj nga marrëveshja Thaçi – Vujanoviq për korrigjimin e kufirit me Malin e Zi. Asnjë hap, asnjë metër korrigjim. I mashtruan deputetët për ta bërë ratifikimin. Çakorrin, Zhlebin e Bjelluhën, plot 8.200 hektarë të Kosovës, i dha Haradinaj për çerek metri katror të ulëses së kryeministrit. Pas demarkacionit tash i është futur edhe ‘Zajednicës’.
Në pikën 1.9 të kapitullit të parë, thuhet se do të krijohen struktura të përbashkëta për zgjidhjen e çështjeve të luftës si reparacioni, të pagjeturit, krimet e dhunës seksuale dhe krimet e luftës. Kështu merret njëfarë bashkëfajësie e barabartë me Serbinë. Këso propozimi mund të bëjë, pra vetëm ndonjë shtet që nuk na ka njohur, dhe i cili e ka atë qasjen “status neutrale”, mirëpo këtë nuk mund të na e bëjë një shtet i cili na ka njohur e kurrsesi Kosova përmes qeverisë të ia bëjë vetvetes si shtet.
Në pikën 5 të kapitullit 2 (Ndërtimi i masave të mirëbesimit) thuhet se duhet të formohet një Asociacion i Biznesit Kosovë-Serbi për t’i mundësuar ndërmarrjet publike dhe private t’i adresojnë shqetësimet e përbashkëta dhe të reduktojnë barrierat e të bërit biznes në kufi. Ne nuk kemi një Odë Ekonomike të përbashkët Kosovë-Shqipëri, por këtu parashihet një Asociacion Biznesi me Serbinë. Dhe, taksa 100% kësisoj bëhet e negociueshme. Nuk ka mundur të jetë ndryshe mbase përderisa nuk është reflektim i parimit të reciprocitetit, por një lloj vendimi ad hoc.
Në pikat 4, 5 dhe 6 të nënkapitullit ‘Siguria’ te kapitulli 3 (Garancitë dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut) tregohet që policia do të jetë e ndarë mbi baza etnike dhe se komandantët e stacioneve policore lokale do të njoftohen paraprakisht për operacionet e policisë qendrore ose speciale atje.
Te nënkapitulli ‘Të drejtat fetare dhe kulturore dhe mbrojtja e tyre’ flitet në përgjithësi dhe mandej vetëm për ortodoksinë dhe Kishën Ortodokse Serbe.
Te nënkapitulli ‘Pjesëmarrja e komunitetit serb në nivel qendror’ përshkruhen dispozita të Kushtetutës sonë, e që i bie se Kosova i zotohet Serbisë për Kushtetutën e vet. Absurde edhe kjo. Por, mandej edhe merren elemente të marrëveshjeve të Brukselit të 19 prillit 2013 si dhe të asaj për drejtësi të 10 shkurtit 2015.
Kur përmenden plaçkitjet e kontributeve pensionale dhe depozitave bankare, nuk përmenden me këto terma si plaçkitje, dhe te nënkapitulli ‘Dëmet e mëdha financiare, pensionet dhe kursimet’ në kuadër të kapitulli 4 (Ekonomia), flitet për formim të Komisioneve të përbashkëta vlerësuese por jo për borxhin që na e ka Serbia. Nuk shtrohen kërkesat ndaj Serbisë dhe parashihen marrëveshje neutrale që formojnë komisione e të cilat mandej duhet të gjejnë zgjidhje. Parashihet të merremi vesh me Serbinë për një komision të përbashkët i cili do të merret vesh për dëmet e okupimit dhe luftës, pa e emërtuar okupimin si të tillë dhe pa e konsideruar asnjëherë në asnjë vend Serbinë agresore dhe okupatore.
Njësoj, edhe kapitulli 5 i këtij materiali (Drejtësia Tranzicionale dhe Pajtimi), kemi ekipe e komisione të përbashkëta nga të cilat pritet se do të na sjellin drejtësi e pajtojnë, thua se nuk jemi shtet i pavarur por në ndonjë raport federal a konfederal me Serbinë. Të pagjeturit, viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës, reparacioni etj. me këto marrëveshje ngelen nën vullnetin e mirë të presupozuar të Serbisë. Pra, janë çështje në mirëbesim me Serbinë.
Kapitulli 6 (Edukimi dhe rinia) tregon që edhe me këtë marrëveshje arsimimi do të mbetet i ndarë mbi baza etnike dhe, për pasojë, siç e dimë, nxënësit shqiptarë dhe ata serbë do të mësojnë histori të ndryshme e diku edhe të kundërta për vendin tonë.
Te kapitulli 8 (Asociacioni i komunave me shumicë serbe) kemi zotim për ‘Zajednicë’ ndonëse përmendet vendimi i Gjykatës Kushtetuese, meqenëse së pari përmendet marrëveshja e 19 prillit 2013 e cila gjashtë pikat e para ia kushton ‘Zajednicës’. Në fakt, vetë emërtimi i asociacionit të cilin e afirmon Haradinaj është kundërkushtetues. Nuk mund të quhet Asociacion i Komunave me shumicë serbe, sepse nuk mund të ketë karakter njëetnik në formimin e asociacionit. Mund të ketë Asociacion të komunave të lumit Ibër a Lepenc, të Drenicës a të Bjeshkëve të Rugovës, por nuk mund të ketë Asociacion të Komunave me shumicë serbe. Nuk është karakteri etnik i popullsisë nëpër komuna kriteri i nevojshëm e i mjaftueshëm në bazë të të cilit ti krijon asociacione.
“Kjo marrëveshje të cilën e dëshiron Haradinaj me Serbinë, merret ekskluzivisht me serbët e Kosovës, psh. me kthimin e tyre, thua se nuk ikën njëherë shqiptarët e Kosovës prej Serbisë gjatë gjithë shekullit 20 e deri te viti 2000 kur u dëbuan nga veriu i Mitrovicës. Me këtë marrëveshje të KM, që fillimisht duket sikur një far Ahtisari ++, gjithsesi i shkruar sikur nga një shtet i cili nuk na ka njohur, në fund, nuk do ta marrim njohjen e pavarësisë nga Serbia, por ajo do ta fitojë ‘Zajednicën’ brenda Kosovës”, theksoi Kurti në konferencën për media.
“Shkëmbimit territorial të Thaçit që në fakt është ndarje e Kosovës, Haradinaj praktikisht don t’i kundërvihet me ‘Zajednicën’ që në fakt është bosnjëzim. Secili më keq se tjetri. Asnjëri s’janë zgjidhje. Të dy janë problemi. Prandaj për Lëvizjes Vetëvendosje ky material në formën, mënyrën, qasjen dhe përmbajtjen e tij është i papranueshëm dhe nuk do të duhej që të dalë jashtë kabinetit të Kryeministrit apo të atyre që e shkruan këtë dokument. Ne do të kemi mundësi që të ua përcjellim edhe juve për shkak se një dokument i tillë ende nuk është bërë publik e ne besojmë që përveç ambasadave të Quintit do të duhej ta shohin edhe politikanët e Kosovës, qytetarët e Republikës sonë. Pa transparencë nuk ka zgjidhje të drejtë e të qëndrueshme”, përfundoi kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti. /©Kabllogrami/