E kujtoj Ibrahim Rugovën (2 dhjetor 1944 – 21 janar 2006) që nga vitet e shtatëdhjeta të shekullit të kaluar. Me dallim moshe 20-vjeçare: ai në të tridhjetat atëherë, unë nxënës shkolle. Si mik shtëpie e letrash me Sabri Hamitin, Rugova i asaj kohe më shfaqet sot si arketip urtaku, ndoshta për shkak të fizikut hollak, që e ruajti deri në vdekje, tridhjetë vjet më vonë.
Në vitet e tetëdhjeta, unë student i letërsisë në Prishtinë e Zagreb, ndërsa ai shkencëtar i letërsisë në Institutin Albanologjik të Prishtinës, u njoha dhe u miqësova me Rugovën. Mësoja dhe inkurajohesha prej tij. Kishte shkruar edhe për James Joyce-in (Xhejms Xhojsin), ndoshta romansierin më të madh të shekullit XX, të cilin po e lexoja dhe mësoja na Fakultet, ndërsa do të shkruaja për të disertacion doktorate njëzet vjet më vonë. Edhe me shtytjen e tij.
Në vjeshtën e parë të vitit 2005 Rugovën e përlau kanceri. E përballoi lëngatën me dinjitet e kurajë. Iu drejtua popullit vetë për ta njoftuar për sëmundjen vdektare, me të cilën do të përfytej deri në frymën e fundit. Nuk deshi që njoftimin ta bëja unë, zëdhënësi i tij si President i Kosovës. Kishim shkuar me Skender Hysenin që të merreshim vesh për njoftimin. Ai tha: ‘Jo e bëj vetë, do të komunikoj drejtpërdrejt me popullin’, ndërsa na qortoi që po na shihte të ligështuar nga gjendja e tij shëndetësore.
Udhëhoqi delegacionin e Kosovës në fillimin e procesit ndërkombëtar për pavarësimin e Kosovës. Takimi i parë me Emisarin e OKB-së Marti Ahtisari dhe ekipin e tij ndodhi në rezidencën e Rugovës në Velani. Zgjati disa orë. Me flokët e rëna nga kanceri, por me energjinë e pashterur, Rugova foli me fuqi argumenti për pavarësinë e Kosovës si zgjidhje të vetme. Falë diskursit të tij, zgjidhja që për dikë dukej radikale e jorealiste, bëhej optimale dhe jomaksimaliste. Kishte ngulur këmbë për pavarësinë edhe kur kundërshtarët e tij politikë, disa prej të cilëve ishin tani pjesë e Ekipit të Unitetit që drejtonte ai, e shqiptonin rrallë e hiç, ose marrshëm, kërkesën për pavarësi në Kosovën e kujdestaruar nga OKB-ja.
Në njëzet vjet të veprimit politik, Rugova ideoi, afirmoi dhe përmbaroi pavarësinë e Kosovës si zgjidhje, pavarësinë nga Serbia pushtuese, por edhe pavarësinë politike nga Shqipëria, ndonëse fliste për shtet të hapur ndaj të dyjave në ligjërimin e tij politik të të nëntëdhjetave. Pavarësinë e Kosovës e shihte arritje të gjysmës së dytë të pavarësisë shqiptare, pas 12 nëntorit të 1912-tës. Kjo ide e tij, si dhe ideja për protektorat civil e ndërkombëtar në Kosovë, si fazë kalimtare, shpalosur së pari në Uashington në shkurt të vitit 1993, do të realizoheshin si në një profeci vetëpërmbushëse të antikës.
Filtri i kujtesës ma jep Rugovën e buzëqeshur. E kam parë të mërzitur me rastin e tragjedive të mëdha të luftës, në shkurt e mars 1998, në janar 1999, me rastin e vrasjes së bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë, para e pas lufte. E kujtoj të mërzitur keq në mbrëmjen e 28 nëntorit të vitit 2005, dy muaj para vdekjes. Komuna e Prishtinës kishte vendosur në rrugët dhe në sheshet e kryeqytetit flamurin shqiptar dhe, krahas tij, flamurin e Dardanisë, që Ibrahim Rugova e kishte paraqitur propozim të vetin për flamur shtetëror të Kosovës ndërsa e përdorte si Flamur të Presidentit. (Edhe himnin, ‘Kur ka ra kushtrimi n’Kosovë’, poashtu si propozim për himn shtetëror të Kosovës).
Atë mbrëmje festive, flamuri me shqipen dykrenare në mes, flamuri shqiptar i stilizuar me ngjyrën e kaltër të Evropës në sfond dhe me yllin e Skenderbeut, u shkel e u dogj në Prishtinë nga pjestarë të shoqatave të luftës, të afërta me PDK-në e Hashim Thaçit. Flamuri damkosej prej syresh ‘si përdhosje e flamurit kombëtar’, madje për çudi si ‘shkelje e gjakut të dëshmorëve’ ! Me zellin që e shkelën dhe dogjën flamurin që ndrynte shqiponjën në ditën e festës shqiptare, e pranuan këta zelltarë patriotikë nja dy vjet më vonë flamurin aktual të Kosovës, që nuk dëfton shenjë shqiptare. Më mirë ta kishim flamurin e Rugovës, thonë ndonjëherë në biseda private ata që në kohë kishin qenë kundër, shkaku i kundërshtisë së tyre politike ndaj Presidentit dhe vizionit të tij për shtetin e Kosovës.
Në muajt e lëngatës, në mes paraqitjesh publike që i bënte më rrallë, Ibrahim Rugovën e kam takuar më shpesh në ambiente private, në bibliotekën e tij. Në një takim të tillë, në nëntor të 2005-shes, vetë në gjendje të këputjes fizike, më këshilloi ta mbaroja disertacionin tim. Edhe unë e kam pasë zgjatur punën time, më tha, si për të më qortuar e arsyetuar në të njëjtën kohë. Jo, jo, i thashë, ti e ke bërë më shpejt se unë! Doktoratën e mbarova në verën e 2006-shit, mbas shkuarjes së Rugovës në amshim.
Kishte vite që flisja më rrallë për letërsinë me Rugovën. Unë jepja letërsi angleze në Universitetin e Prishtinës dhe punoja në Qendrën për Informim të Kosovës; atë e kishte përlarë puna politike për ndërtimin e shtetit të Kosovës. Kur e pyesje se çka po lexonte, përgjigjej: Libra të vjetër (autorët antikë). Nga këto burime të thella për filozofinë, për retorikën, politikën dhe etikën, nga ky univers Rugova kullonte mendimin e vet prej të cilit lindte veprimi i tij kombëtar.
Ibrahim Rugova, figurë e shekullit e Kosovës, ka marrë formimin intelektual e humanist në vitet gjashtëdhjetë dhe shtatëdhjetë të shekullit të kaluar. E dijnë ata që kanë pasur fatin ta njohin nga afër: dijen e rëndë e vishte lehtë Ibrahim Rugova!
Me shkollim universitar e pasuniversitar në Prishtinë dhe në Paris, në moshë tridhjetëvjeçare ishte bërë shkrimtar që rilidhte studimet letrare e kulturore shqipe me traditën e moçme dhe me vlerat perëndimore. Kjo ndodhte në kohën kur shkolla e re letrare dhe kulturore e Kosovës po afirmonte respektin për vlerën dhe për shumësinë në kohën e skemës mbizotëruese real-socialiste e të dogmës staliniste në dijet humanitare në Shqipëri, që përdegëzohej në pushtetin stalinist atje. Më vonë, pas vitit 1990, kjo frymë e rrymë e studimeve letrare të Kosovës u bë shkollë e pashpallur, por e përqafuar nga breza të rinj në studimet albanistike edhe në Shqipëri.
Nga një punë thellësisht letrare-humaniste, si autor i monografisë për Pjetër Bogdanin (1982), heroin e tij, pastaj i studimeve të tjera të thella për letërsinë dhe për mendimin shqiptar të përthyera në standarde diturake perëndimore, Rugova nga mesi i atyre viteve do të çonte studimet e veta në kahe e fusha që kufizonin dhe preknin edhe çështje të ideve e të pushtetit, dhe të marrëdhënieve ndërmjet tyre. Më 1987 Ibrahim Rugova botoi veprën e vet kulmore “Refuzimi estetik”. Dy vitet në vijim, deri në dimrin e vitit 1989, refuzimi i tij shkiste në terren politik: në paraqitjet në opinionin letrar-kulturor dhe në ballafaqimet me shkrimtarët serbë që kalëronin kuajt e mesjetës bizantine/sllave. Poashtu edhe në ballafaqime me makinerinë e agresionit me fjalë e me dhunë që kishte ngritur Sllobodan Millosheviqi në kryqëzatën e tij (në aleancë me Kishën Ortodokse Serbe dhe me Akademinë Serbe) për Serbinë e Madhe që mëtonte të përlante Kosovën, zemrën e pandehur mesjetare të Serbisë.
Në fillimvere dhe në fillimdrimi të vitit 1989 Ibrahim Rugova, pa shtytje konvencionale, jo padashtas, po me thirrjen kushtrimore të kauzës popullore, doli e u bë prijës i pashpallur i popullit të Kosovës në kohën kur vendi kishte mbetur pa krye: pa asnjë strukturë udhëheqjeje, pa asnjë ide për udhën që duhej marrë ndërkohë që shpërbëhej ish-Jugosllavia dhe binin kambanat e luftës. Elitat komuniste të vendit kishin firuar si vesa e mëngjesit nga furia nacional-komuniste serbe. Elita kulturore shqiptare, kryesisht e fushës arsimore-kulturore, e ndoqi Ibrahim Rugovën në rrugën e tij. Por më shumë, e ndoqi populli i vet me besim të palëkundur deri në fund. Për të gjallë të vet, Rugova fitoi të gjitha zgjedhjet politike në Kosovën e para dhe pasluftës.
Në një intervistë për magazinin politik gjerman “Der Spiegel” (datë 26 qershor 1989), shkrimtari shqiptar 44-vjeçar alarmonte se serbët po ktheheshin sërish si hakmarrës (Die Serben kommen als Rächer wieder), siç titullohej intervista e Rugovës në vigjilie të 600-vjetorit të Betejës së Kosovës, që Millosheviqi do ta shpallte në Gazimestan të Prishtinës si fillim të luftërave të reja për ta kthyer fitoren e qiellit në fitore të dheut për serbët.
Më 23 dhjetor 1989, Ibrahim Rugova me bashkëpunëtorë e formoi Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), partinë e parë shqiptare antikomuniste pas Luftës së Dytë Botërore. (Partia Demokratike e Shqipërisë do të themelohej nga Sali Berisha një vit më vonë). Me ide e veprim, me disiplinë e organizim të pashembullt, LDK-ja u bë lëvizje e shtet për shqiptarët e Kosovës në vitet e nëntëdhjeta. Me zgjedhjet e 24 majit të vitit 1992 për Kuvend dhe për Kryetar të Republikës së Kosovës, të shpallur tashmë nën udhëheqjen e tij, Rugova krijoi shtetin që organizoi jetën arsimore, kulturore, sociale, ekonomike e politike. Krijoi edhe përfaqësimin diplomatik në bërthamë. Bëri përgatitje, në rrethana të pamundshme, edhe për mbrojtje të popullit të Kosovës nga spastrimi etnik serb që i kanosej. Rugova nuk ishte pacifist i dalë boje, siç janë përpjekë ta përshkruajnë kundërshtarët e tij ideologjikë.
Me politikën e urtë, Ibrahim Rugova ruajti substancën kombëtare teksa ringjalli besimin në vlerat e lirisë, të demokracisë dhe të pavarësisë; dhe krijoi kulturën e shtetit. Shteti me legjitimet përfaqësues, edhe kur nuk mund të ushtronte aspekte klasike shtetërore si monopoli i dhunës, apo kontrolli i territorit, përmbaronte funksione qenësore për ekzistencën e entitetit politik. Ibrahim Rugova, me shoqëri dhe shtet demokratik, kishte nën kontroll popullin, nëse jo territorin e Kosovës, që ishte nën pushtimin e Serbisë. Në këtë pikë ngjan me Skënderbeun, Kryeheroin e kombit, që poashtu kontrolloi për 25 vjet popullin, nëse jo territorin shqiptar, në kohën e luftërave me otomanët.
Republika e Parë e Kosovës (1990-2000), me rezistencën aktive qytetare e politike të dekadës së mbramë të shekullit të kaluar dhe me luftën çlirimtare të viteve 1998-1999, vunë themelet e Republikës së Dytë të Kosovës, që do të mbushë pesë vjet më 17 shkurt 2013. Të dy republikat gjithëherë mbajnë vulën e themeltarit të Shtetit të Kosovës, Ibrahim Rugovës.
Sa largohemi prej ditës kur ndërroi jetë, figura e Ibrahim Rugovës rritet e lartësohet në sfondin historik të Kosovës dhe të kombit shqiptar. Pa fjalime të pushtetarëve, pa përmendore – me veprën e vet të madhe – me kryeveprën e tij, Republikën demokratike të Kosovës. Presidenti Historik, siç është mbiquajtur, ndërtoi shoqëri e shtet me frymë e besim demokratik, me pëlqimin e qytetarëve, duke afirmuar vullnetin e tyre para botës me disiplinë pothuaj fetare, duke punuar me ta dhe për ta, jo përkrye tyre. Deri në frymën e fundit, para mesditës së 21 janarit të vitit 2006.
Në festimet zyrtare në Kosovë e në Shqipëri në 100-vjetorit e pavarësisë shqiptare, pati vlerësime e rivlerësime figurash kombëtare në përpjekje për të bërë panteonin e pashpallur të figurave të mëdha, themeltare. Ismail Qemali u rishfaq në krye, u bënë përpjekje të shihej në pamje të re, më pozitive, Ahmet Zogu, ndonëse me kundërthënie. Establishmenti aktual politik i Kosovës, tek u ndajshtohej festimeve të të dyja kampeve politike në Shqipëri, anashkaloi me program Ibrahim Rugovën, themeltarin e shtetit të Kosovës, burrështetasin tonë të parë, the founding father of the nation (ati themeltar i kombit), siç i referohen me të drejtë studiuesit ndërkombëtarë të historisë së re të vendit tonë.
Realiteti i egër dhe idealiteti sipëror për Kosovën i synuar prej tij u ndeshën sërish, kësaj here pa Rugovën fizik. Rugova i frymës, i urtisë, i maturisë, i durimit, i guximit, i qëndresës, i virtytit, i moralitetit, i paqes, i lirisë, i demokracisë dhe i pavarësisë – Rugova i përjetshëm – mbetet burrë i pacenueshëm.
Njeriu i letrave, kërkuesi e realizuesi i lirisë ekzistenciale për popullin tonë, Ibrahim Rugova më del kështu mua në kujtesë, që është nëna e muzave. Mua që kam pasur fatin të jetoj në epokën e tij e të punoj me të deri në frymën e fundit.
Agjencitë botërore shënuan këto fjalë të miat, të zëdhënësit të Presidentit Rugova, ditën kur ndërroi jetë dhe ditën kur u varros Ai:
“Presidenti vdiq pak para mesditës në rezidencën e vet, i rrethuar nga familja. Luftoi me kancerin me dinjitet dhe kurajë të madhe deri në frymën e fundit… Njerëzit prej gjithë Kosove erdhën t’i bëjnë vizitën e mbramë njeriut që jetoi krenar dhe vdiq i tillë”.
Ibrahim Rugova më kishte emëruar në punë në Qendrën për Informim të LDK-së (më vonë të Kosovës, QIK) në vjeshtën e vitit 1991. Aty punova deri më 24 mars 1999. Në verën e vitit 1996 Rugova kishte rënë dakord në parim me autoritetet amerikane për hapjen e një zyreje Përfaqësuese të Kosovës në Uashington, me status jo të plotë diplomatik, ndërsa për udhëheqës të saj më kishte propozuar mua, poashtu në pajtim me amerikanët. Mbasi hapja e Zyrës nuk u bë, për arsye përtej Rugovës, dhe emërimi nuk u bë publik asnjëherë, po e jap këtë dëshmi për herë të parë.
Në korrik të vitit 2002, Presidenti Ibrahim Rugova më emëroi zëdhënës dhe këshilltar, punë që e kam kryer deri në mbarim të jetës së tij të shkurtër.
Autori është mёsimdhёnёs në Universitetin e Prishtinёs dhe ishte Ambasadori i parё i Republikёs sё Kosovës në Britani tё Madhe. Ka qenë edhe pjesë e Kabinetit të Presidentit tё parё tё Republikёs sё Kosovёs, Ibrahim Rugova. Ky shkrim është shkruar vite më parë, por në ditë të njejtë me të sotmen, në kujtim të presidentit Ibrahim Rugova, prandaj po e risjellim për lexuesit tanë.