Kthimi në Kosovën e lirë para 20 vjetësh

Shkruan: Muhamet Hamiti

Kujtime: 11-13 qershor 1999

Seicili që feston njëzetvjetorin e lirisë së Kosovës dhe ka moshë kujtese për atë ditë të 12 qershorit të vitit 1999 – viti i tmerrit e i mrekullisë për popullin e Kosovës – do të kujtohet se ku ka qenë e si është ndier atë ditë, çka ka pritur e çka shpresuar të shohë në ditët, muajt e vitet e ardhshme.

Këtu do të jap një shkurtesë të kthimit tim në Kosovën e lirë, sot njëzet vjet.

Në Maqedoni kam qenë refugjat nga 6 prilli deri më 11 qershor 1999. Fillimisht në Kumanovë, te familja e motrës sime Florës e dhëndrit Nexhmedin Xheladinit, pjesën tjetër në Shipkovicë të Tetovës, në shtëpinë e Sufjan Halilit, që vetë gjendej me punë në Gjermani. (Shipkovica do të bëhej selia e UÇK-së së Maqedonisë dy vjet më vonë!). Unë dhe Vjosa ishim njohur e kishim punuar me vite në Qendrën për Informim të Kosovës (QIK). Tash, në prag fejese e martese pak më vonë atë vit, punonim për WUS (World University Service) Austria dhe organizatën tjetër joqeveritare gjermane “Die Johanitter” në Tetovë, deri atë të premte të 11 qershorit, kur u dhamë eprorëve njoftimet se do të linim punën për t’u kthyer në Kosovë. Sjellje jo fort korrekte në sytë e tyre, natyrisht: të linim punën pa paralajmërim të mjaftueshëm kohor. Po ne kishim tjetër synim.

Morëm vendim që të ktheheshim në Kosovë, në shoqërim të gazetarit të radios publike gjermane ARD, Elias Bierdel, i cili kishte kryer procedurat e akreditimit me KFOR-in për të qenë pjesë e kolonës së trupave të NATO-s, që do të hynte në Kosovë ditën e 12 qershorit.

Aty nga fundi i ditës së premte mbërritëm në Bllacë. U furnizuam me artikuj ushqimorë të thatë, për nja tri ditë, siç thoshte gazetari Bierdel, sepse kaq, ia kishin krijuar përshtypjen autoritetet ushtarake, do të mund të zgjaste udhëtimi ynë prej kufirit Maqedoni-Kosovë në Prishtinë. Do të mbërrinim shumë më shpejt, siç do të shihet.

Natën e 11-12 qershorit do ta kalonim në anën maqedonase të kufirit në shoqëri me dhjetëra gazetarë të kompanive të mëdha mediale (CNN, BBC, Sky, AP, Reuters, etj.) që njoftonin për zhvillimet aktuale dhe të pritshme mbas Marrëveshjes së Kumanovës të 10 qershorit, që parashihte hyrjen e forcave tokësore të NATO-s dhe largimin e trupave ushtarake, policore e paramilitare serbe nga Kosova.

Aty nga ora 5 e mëngjesit të 12 qershorit, në agim, me sa mbaj mend unë, nisi operacioni i kontingjentit britanik të KFOR-it, me helikopterë e pajisje të motorizuara, për hyrje në Kosovë. Me sa mund të merrnim vesh ne, nga padija apo nga loja e autoriteteve serbe në kufi, këto të fundit mëtonin të ushtronin kontroll dokumentesh të atyre që do të hynin në Kosovë. Natyrisht, kjo ishte punë që s’bëhej më. Pushteti okupator serb kishte marrë fund.

Në makinë me gazetarin gjerman Bierdel, ne u bëmë pjesë e konvojit të trupave britanike të mbizotëruara nga gurkat legjendare. (Gurkat janë nepalezë etnikë, të njohur për shkathtësi luftarake, pjesë e ushtrisë britanike, si trashëgimi koloniale.)

Rrugës prej kufirit, nëpër Han të Elezit, Kaçanik, Ferizaj, drejt Prishtinës, që zgjati nja 8 orë, u ndalëm disa herë, sidomos te urat, sigurisht për arsye sigurie: trupat e NATO-s donin të siguroheshin se urat nuk ishin minuar. Rrugës, gjatë ndalesave, gazetari Bierdel raportonte për ARD-në. Unë poashtu, në një rast, për Radio Vatin nga Shkupi, për të cilën punonin miku ynë Ramadan Muçolli dhe vëllai im Besniku, refugjatë në Maqedoni, si ne.

Rrugës për në Prishtinë, te kthesa për Lipjan, pamë se trupat britanike gradualisht drejtoheshin andej, gjegjësisht, siç do ta mësonim më vonë, drejt aeroportit të Prishtinës. Aeroportin e kishin marrë nën kontroll trupat ruse, nominalisht pjesë e KFOR-it, që kishin arritur nga Bosnja një natë më parë, fillimisht në Prishtinë, përfundimisht në aeroport. (Është e njohur kjo histori dhe ballafaqimi i komandantit të trupave të KFOR-it, Gjeneralit Jackson, i cili është mburrur në një mënyrë se ka evituar nisjen e Luftës së Tretë Botërore, në rast të konfliktit të hapur NATO-Rusi.)

Unë e Vjosa, me gazetarin gjerman të ARD-së Elias Bierdel, u gjetëm vetëm në mbërritje në Prishtinë. Më kujtohet pamja e rrethit të Spitalit nga Veterniku, në juglindje të Prishtinës, ku pamë mizëri makinash ushtarake e policore serbe, serbësh civilë e jocivilë të hipur në makina plot orendi e pajisje shtëpiake, që ishin duke braktisur Kosovën pa i ndjekur kush. Ashiqare pos ndërgjegjes së tyre se kishin qenë pjesë e makinerisë pushtuese e të fushatës së terrorit kundër popullsisë vendase shqiptare.

Duke kaluar nëpër trafik relativisht të ngjeshur mbërritëm në shtëpinë time, në banesën në “Dardani” të Prishtinës, aty nga ora 13:00 të shtunën, më 12 qershor 1999. Në hyrje të bllokut të banesave, pamë policë serbë që hynin e dilnin. Në të vërtetë, policia serbe kishte kthyer hapësirën e Kooperativës “Dardania”, që e kishte selinë aty me vite, në qendër policore të përkohshme. Ishin zhvendosur shumica nga stacioni policor në Dardani, përballë, nga ana e lagjes “Lakrishte” e Prishtinës, për të shmangur veten si cak të mundshëm të sulmeve nga NATO-ja gjatë fushatës ajrore të 78 ditëve prej 24 marsit deri më 10 qershor 1999.

Në banesën tonë kishte javë që ishte vendosur familja e gjerë e motrës sime, Zanës, me banim në Podujevë, që, të përzënë nga shtëpia e vet, mbas krajatash të mëdha, me javë kaluar në qiell të hapur fushave e maleve, kishte mbërritur në Prishtinë.

E gjithë banesa, në pikët të ditës, ishte e errët burg nga perdet e improvizuara që kishin vendosur banorët e rinj nga frika.

Të nesërmen, e diel, 13 qershor, në orët e mëngjesit policia serbe në stacionin e improvizuar policor në katin përdhes të bllokut të banesave në “Dardani”, shihej e angazhuar për shpërngulje, duke marrë dokumente, ose djegur pjesë të tyre në parkingun e makinave afër. Kjo ndodhte teksa një autoblindë e KFOR-it ishte vendosur prapa bllokut 9 të banesave në “Dardani”. Ushtarët e KFOR-it kontrollonin civilët (kryesisht serbë) për armë. Ushtarët dhe policët serbë të pranishëm, por në dukje të painvolvuar, në atë pjesë.

Atë paradite, me gazetarin gjerman u nisëm drejt aeroportit të Prishtinës. Ai donte të raportonte për situatën dhe ballafaqimin e KFOR-it me pjesën ruse të tij. Përtej lumit Sitnica, pa mbërritur në aeroport, u ndalëm nga ushtria serbe. Oficeri i kësaj ushtrie bëhej se s’dinte çka po ndodhte, se nuk dinte që kishte ardhur NATO/KFOR-i, dhe se kishte gazetarë të akredituar prej kësaj force, siç ishte gazetari i ARD-së. Oficeri serb, që s’dinte as gjermanisht as anglisht, shqip jo se jo, na tha në serbishte se ne mund të shkonim tutje por se ai dhe trupat e tij nuk mund të garantonin për sigurinë tonë. E morëm si kërcënim të mundshëm. Prandaj, u kthyem në Prishtinë.

Shkuam në rrugën kryesore, tash Sheshi Nëna Tereze, ku takuam shqiptarë, të njohshëm e të panjohshëm. Ndër të njohshmit ishte miku ynë, poashtu bashkëpunëtor në Qendrën për Informim të Kosovës (QIK), Xhemajl Mustafa, zëdhënës i Presidentit Ibrahim Rugova, që kishte kaluar gjithë periudhën e bombardimeve të NATO-s i fshehur në Prishtinë. (Z. Mustafa ka botuar në vitin 2000 librin e tij të kujtimeve, më saktë ditarin e tij, për këtë periudhë me titull “Lutje për Prishtinën”, para se të vritej në hyrje të banesës së tij në Prishtinë në nëntor të vitit 2000, ndonjë ditë pas zgjedhjeve të para lokale në Kosovën e pasluftës. Vrasja e tij ka mbetur e pazgjidhur deri sot, për fatin e keq të familjes e të Kosovës.) Xhemës (kështu e quanim ne, miqtë e tij, Xhemajlin) i treguam se kishim takuar prindërit e tij, refugjatë në Maqedoni, që ishin vendosur poashtu, si ne, në fshatin Shipkovicë. Ishte hera e parë që merrte vesh për fatin e tyre, me sa më kujtohet.

Atë të diel, më 13 qershor, unë me Vjosën e vizituam në shtëpinë e tij, ku kishte qëndruar gjithë kohës, me sa di, edhe mikun e bashkëpunëtorin tonë në QIK, Skender Hysenin.

I papërshkrueshëm ishte gëzimi që patëm nga takimet me Xhemën e Skenderin. Nuk dinim shumëçka për fatin e miqve të tjerë. E dinim se shqiptarët që gjendeshin në Prishtinë, vendas ose të zhvendosur nga vise të tjera të Kosovës, kishin përjetuar një natë të rëndë më 11 qershor, kur serbët lokalë, pushteti i instaluar serb, ushtria dhe policia e tyre, festonin ardhjen e rusëve. (Ka dëshmi të regjistruara me video të kësaj zallahie, që gjenden lehtësisht në youtube.)

Atë të diel, më 13 qershor 1999, pamë objektet e shkatërruara nga sulmet e NATO, si caqe strategjike serbe, në Prishtinë. Pamë edhe objektet e shkatërruara të selisë qendrore të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), poashtu seli edhe e Kryetarit të Republikës së Kosovës, Ibrahim Rugovës, dhe të QIK-ut përbri. Këto të dyja, sikur edhe objekti i Zyrës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që ishte hapur në vitin 1996 në lagjen Dragodan (tash Arbëria), që ishin shkatërruar nga serbët natën e 24 marsit të vitit 1999, me të filluar të fushatës ajrore të NATO-së kundër Serbisë dhe caqeve serbe në Kosovë.

Sot, mbas njëzet vjetësh, festojmë.

Presidenti i atëhershëm amerikan Bill Clinton, sikur dhe Sekretarja e Shtetit Madeleine Albright, dhe komandanti i Operacionit të NATO-s për çlirimin e Kosovës, Gjenerali Wesley Clark, morën pjesë sot në Prishtinë në festimet e njëzetvjetorit të 12 Qershorit, të Ditës së Lirisë së Kosovës, siç e ka shpallur Presidenti historik i vendit tonë, Ibrahim Rugova. Krahas tyre, njeriu tjetër i meritave të mëdha për këtë ditë është ish-kryeministri britanik Tony Blair, që s’ka mundur të jetë këtu me ne, por e ka kujtuar me nderim. Këtyre burrështetasve, prijësve të tjerë nga Perëndimi (Gjermani, Francë, Itali), dhjetëra mijëra ushtarëve të NATO-s, ushtarëve të Kosovës, të gjithë qëndrestarëve e luftëtarëve shqiptarë, do t’u jemi mirënjohës përjetë.

Për pritjet, shpresat e realitetin e këtyre 20 vjetëve, sidomos për gjendjen aktuale jo të mirë në Kosovë, për fajin tonë, herë tjetër.

Të festojmë sot, të mos qahemi!

©Kabllogrami

Lexo edhe

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por mund të zgjedhni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë