Kryeqyteti i Kosovës do jetë nikoqir i forumit të Crans Montana
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur sot në takim drejtorin e Crans Montana Forum, në Zvicër, Pierre Emannuel Quirin, bën të ditur Kabllogrami.
Haradinaj i tha atij se punon ngushtë me të gjitha qeveritë dhe organizata të ndryshme që të forcojnë bashkëpunimin ndërkombëtar duke promovuar praktikat e mira dhe duke lejuar një dialog të përhershëm midis atyre në sektorin publik dhe privat.
“Kam nderin që sot keni vizituar Kosovën dhe keni shprehur vullnetin që të dëgjoni nga afër për zhvillimet këtu në vend e po ashtu edhe të arriturat tona drejt konsolidimit të shtetit tonë me shumë sfida përpara”, tha Haradinaj duke theksuar se forume të tilla, rrjetëzojnë dhe forcojnë marrëdhëniet e partneritetit mes shteteve.
“Është rast shumë i mirë i Kosovës, që të jetë nikoqire e forumit të radhës të Crans Montana, që do të mbahet në Prishtinë. Ky forum i ka dhënë hapësirë të respektuar Kosovës në të kaluarën dhe është një nga ngjarjet ku Kosova mund të promovohet dhe fuqizohet në aspektin ndërkombëtar, meqë pjesëmarrësit janë vendimmarrës të rëndësishëm të botës”, ka thënë Haradinaj, duke shtuar gjithashtu rëndësinë e këtyre takimeve për tërheqjen e investimeve të huaja dhe fuqizimit të Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Ndërkaq, drejtori i Crans Montana Forum, Pierre Emannuel Quirin, tha se ishte kënaqësi të ishte sot në Kosovë dhe të zhvillojë takim me Haradinaj, duke shprehur gatishmërinë e bashkëpunimit edhe në të ardhmen. /©Kabllogrami/