Ka ngjallur kundërshtime të ashpra nga kryeministri Ramush Haradinaj dhe partitë opozitare LVV e LDK, nocioni i presidentit Hashim Thaçi “Korrigjim i lehtë i kufirit me Serbinë”, shprehje të cilën s’e tha këtu, por e ka thënë për herë të parë hapur në Amerikë, përcjell Kabllogrami.
Presidenti Thaçi, për herë të parë, e ka thënë hapur në Amerikë se demarkimi i kufirit është mundësi për ta korrigjuar kufirin edhe në veri të Kosovës, edhe në jug të Serbisë.
Sipas Thaçit, nëse një korrigjim i lehtë i kufirit është çmimi për marrëveshje përfundimtare të paqes, atëherë kjo do të duhet të jetë e pranueshme, raporton televizioni KTV.
Edhe opozita e vlerëson shqetësuese dhe rrezik për shtetësinë e Kosovës qëndrimin e presidentit Thaçi për ndryshim të kufijve.
Deputetja Vjosa Osmani, thotë se presidenti nuk ka mandat për të folur për këtë. Në këtë drejtim, ajo fajëson edhe ekipin e dialogut që po i qëndron pas idesë së tij.
Për Vetëvendosjen, organizimi i protestave për ta kundërshtuar presidentin Thaçi, është i pashmangshëm. Këtë mundësi, për të folur për ndryshim të kufijve, sipas Vetëvendosjes, e ka mundësuar edhe Ekipi negociator.
Dy bashkëkryesuesit e Ekipt negociator, Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti, të martën paparalajmërim janë takuar në Bruksel me ekipin e ndërmjetësueses së dialogut, Federica Mogherini. /©Kabllogrami/