Krijuesit që ranë dëshmorë: Bashkim kombëtar po, copëtim jo se jo

Rubrika: Shpërputhje Kulturore nga Avni AZIZI

 

Avni Azizi

Popullit shqiptar nuk i duhet asnjë zgjidhje tjetër përveç çlirimit të plotë të të gjitha trojeve të pushtuara nga pushtuesit shekullor dhe bashkimit të tyre më Shqipërinë, pikërisht për këtë arsye populli shqiptar duhet sa më parë të heqë dorë nga çdo ide për ndarje e copëtim…”

– Krijuesi dëshmor Agim Ramadani në poezinë e tij ‘Klithmë e ngrirë’ do të shprehet: “Çamëria e Sanxhaku – frymëmarrjen na e zënë edhe sot”.

– Poeti, ideologu dhe dëshmori i kombit Bahri Fazliu në librin e tij “Kundër mistifikimit për të vërtetën” për bashkimin kombëtar shprehet: “Popullit shqiptar nuk i duhet asnjë zgjidhje tjetër përveç çlirimit të plotë të të gjitha trojeve të pushtuara nga pushtuesit serbo-maqedono-malazezomdhenj dhe bashkimit të tyre më Shqipërinë, pikërisht për këtë arsye populli shqiptar duhet sa më parë të heqë dorë nga çdo pacifizëm…”

Bashkimi i kombit si sferë tematike e motivore, sidomos tek veprat e dëshmorëve e martirëve të kombit, nuk është thjesht si element dekorativ i artit të tyre, nuk ishte vetëm sublimim frymëzimi, por ai ngrihet në element prioritar, në betim të dhënë, sakrifikim për atë betim deri në rënie.

Metaforat e lirisë dhe të bashkimit – Krijuesit e kësaj krijimtarie mendojnë se vetëm tërësia e kësaj toke shëron çdo plagë e qetëson çdo gjëmë, njëherit kjo tërësi e tokave Ilire, në krijimet e tyre bëhet udhërrëfyese e qenësisë kombëtare, gjerësa copëtimi vetëm sa i rëndon plagët dhe thellon gjëmën.

Veprat e dëshmorëve të lirisë

Bashkimi kombëtar si motiv por edhe si vetëdije përherë ka qenë i pranishëm në tematikën e shumë krijuesve tanë nëpër kohë. Ndoshta vetë lajtmotivi kombëtar i sublimuar në dimensionet jo vetëm të artit letrar, ka zgjuar qasjet e shtjellimit mbi fatkeqësinë e atdheut të copëzuar, mbi tragjiken e atdheut të ndarë padrejtësisht.

Shumë krijues tanë duke jetuar në rrethana përplot kontraste e situata paradoksale jetësore, kanë krijuar njëlloj simbioze bashkë me përsiatjet e kombit dhe ndjenjat e tyre krijuese.

Një referim i tillë s’ka dyshim se katërçipërisht vërteton pohimin se krijuesi është barometri dhe zëri më autentik i kohës që jeton, i shqetësimit shpirtëror të tij dhe i botëkuptimeve më të sintetizuara drejt aspiratave të kombit që i takon. Duke kuptuar rolin dhe mesazhin e gjithëbotshëm që sjell veprimtaria e gjerë kulturore, duhet thënë se në kulturë nuk bën pjesë vetëm arti e letërsia, por i gjithë konstitucioni shpirtëror, atëherë medoemos duhet kuptuar se objektivat e vëna në fushën kulturore ishin dhe duhet të jenë udhërrëfyese për shumë çështje e në këtë rast për çështjen tonë madhore bashkimin e kombit. Këto dimensione të ngritura në parime krijuese dhe këto kërkesa delikate një numër krijuesish tanë i kanë transmetuar tek receptuesi si angazhim shpirtëror  dhe si vetëdijesim fisnik. Duhet përmendur se edhe vetë Lidhja e Prizrenit ishte ngritur mbi kulturën politike duke përfshirë aty edhe kulturën e luftës.

Tema e Bashkimit Kombëtar

Bashkimi i kombit si sferë tematike e motivore, sidomos tek veprat e dëshmorëve e martirëve të kombit, nuk është thjesht si element dekorativ i artit të tyre, nuk ishte vetëm sublimitet frymëzimi, por ai ngrihet në element prioritar, në betim të dhënë, sakrifikim për atë betim deri në rënie.

Kur lexon veprat e dëshmorëve drithërima të tëra të përshkojnë zemrën, të ngjethin mishtë por të krijojnë ndjenja krenarie se ajo që synonin e gjakonin dëshmorët nëpër veprat e tyre është shprehur e krijuar më tërë koloritin dhe tërësinë e saj.

Vepra të veçanta letrare të dëshmorëve, sidomos ato të botuara post mortum, kapin dimensione të ndryshme të motiveve dhe temave të shtjelluara nëpër kohë dhe rrethana të ndryshme. Janë botuar ditarë, kujtime, përmbledhje poezish, janë botuar korrespondenca letrash, këngë të edituar të nduarduarshme të llojeve e gjinive të ndryshme. Si pikë referimi i kësaj trajtese do të ishte lufta çlirimtare, liria e atdheut dhe përsiatjet për bashkimin e kombit, tema e motive këto që spikasin veprat e shumë dëshmorëve të lirisë.

Shkrimet letrare – dokumentare dhe veprat artistike të dëshmorëve përjetësojnë qëllimet e tyre qofshin ato të veprimtarisë ilegale apo edhe ato të cilat sheshojnë betimin e dhënë për bashkimin e kombit. Sipas disa veprave të botuara deri më sot e që mendojmë se një numër i konsiderueshëm ende kanë mbetur të pabotuara e të pa edituar, mund të thuhet pa hezitim se tema e bashkimit kombëtar është dominante nëpër shumicën e këtyre veprave.

Prania e kësaj teme nëpër këto vepra manifestohet si indikator, si përcaktues idealesh, ëndrrash, caqesh dhe rrugë drejt këtyre caqeve. Frymëzimet e kësaj tematike formulohen, reflektohen dhe manifestohen me tërë origjinalitetin e konceptimit përcaktues jetësor.

Veçoritë kryesore të angazhimit artistik e letrar të tyre janë lidhja më e mirëfilltë dhe sendërtimi më i drejtpërdrejtë me ëndërrimet, gjakimet dhe rëniet për bashkimin e tokave të ndara të atdheut. Këto veçori nëpër këto vepra shfaqen me dozë natyrshmërie pa poza të tepruara, pa fraza proliksiteti të një arti abstrakt. Në të shpeshtën e rasteve ato janë ngulmime që në mënyrën panoramike shprehin përcaktimet e tyre jo vetëm artistike. Delikatesa e shpirtit poetik për të krijuar për ndarjen e kobshme të atdheut nëpër këto vepra marrin konotacionet e një apelativiteti, ngase atdheu i ndarë është më shumë së klithje, është mallkim.

 Metaforat e lirisë dhe të bashkimit

Krijuesit e kësaj krijimtarie mendojnë se vetëm tërësia e kësaj toke shëron çdo plagë e qetëson çdo gjëmë, njëherit kjo tërësi në krijimet e tyre  bëhet udhërrëfyese e qenësisë kombëtare.

Mund të përmenden shumë krijime të dëshmorëve që me veprat e tyre kanë dhënë kontributin mbi temën e bashkimit kombëtar, mirëpo me këtë rast do të veçojmë: Jusuf Gërvallën, Rexhep Malën, Bahri Fazliun, Agim Ramadanin, Kadri Kadriun, Xhemajli Berishën, Alban Ajetin, Xhevat Berishën etj…

Po marrim disa shembuj nga veprat e dëshmorëve që janë botuar pas rënies së tyre.

P.sh. poeti, ideologu dhe dëshmori i kombit Bahri Fazliu në librin e tij “Kundër mistifikimit për të vërtetën” për bashkimin kombëtar shprehet: “Popullit shqiptar nuk i duhet asnjë zgjidhje tjetër përveç çlirimit të plotë të të gjitha trojeve të pushtuara nga pushtuesit serbo-maqedono-malazezomdhenj dhe bashkimit të tyre më Shqipërinë, pikërisht për këtë arsye populli shqiptar duhet sa më parë të heqë dorë nga çdo pacifizëm…” pastaj po tek i njëjti autor kemi shumë krijime letrare si poezi, prozë e publicistikë që shprehet admirimi për këtë temë që mund të thuhet se edhe ishte temë e preferuar e tij.

Krijuesi dëshmor Agim Ramadani në veprën e tij “Në një jetë tjetër” shkruan:  “Me plumb filluam nokturno të shkruajmë\ Për gjymtyrët e mbetura në fushëbeteja\ me ujin e ashtit tonë.” Gjithashtu në një vend tjetër do të shprehet: “Çamëria e Sanxhaku \ frymëmarrjen na e zënë edhe sot”, (poezia Klithmë e ngrirë).

Xhevat Berisha krijues – dëshmor në librin e tij të botuar pas rënies “Pishtari i Lirisë” thotë: “Prevezë – Sarandë\ Prishtinë – Tetovë\ Ulqin – Preshevë\ Kushtrim i Arbrit”. Pastaj vargjet “Vitet shkojnë e vijnë… Plisat duhet zbardhur\ Trojet duhet bashkuar”.

Alban Ajeti një i ri i rënë dëshmor në disa vargje të librit “Pranvera e Lirisë” gdhend këto vargje: “Deri në fund do të luftojmë\ Kosovën ta çlirojmë\ Shqipërinë ta bashkojmë\ Shqipërinë shkëmb graniti\ se të gjithë jemi shqiptar \ Në Prishtinë, në Tiranë dhe në Tetovë \ e askush nuk mund të na ndajë”, (poezia “Bashkimi”).

Kadri Kadriu – piktor krijues dhe i vrarë nga forcat serbe në librin e tij “Gulçimë zemre” shkruan këto vargje: “Orë e madhe në kënd të historisë \ gur i bardhë i skalitur \ Me shkronja të shqipes \ Në shekuj trimëri \ në Hapësirë të orbitës”, (poezia “Lartësi e Shqipes”).

Ndërsa në njërën nga poezitë e poetit martir Xhemajli Berisha të botuar në librin “Kësi lotësh s’kanë derdhur sytë e mi” në poezinë “Përjetësia” lexojmë vargjet që edhe sot përmbajnë një pikëpyetje tejet aktuale që është jo vetëm në rrafshin poetik: “Sot ka shumë gjurmë miku im \ Shumë rrugë lënë përgjysmë”… etj.

Duke ndjekur këto koncepcione vitaliste nëpër disa vepra të dëshmorëve, tema e tillë jep esencën e frymës së besimit në misionin e njeriut.  Fjala e vërtetë, Ka ardhur koha, Leximi i Historisë, Liria, Atdheu i ndarë, Kongresi i Berlinit, Pasaporta, Shembja e Murit, Krismat e Bashkimit, Rozafati, Shqipëria etj., nuk janë këto vetëm metafora poetike që shprehin vetëm një dëshirë krijuese por, mbi të gjitha janë ideal i shprehur nëpër vepra, janë zëri i cili sot duhet t’i shërbejë për ndërgjegjësim klasës politike për të mos devijuar rrugën drejt aspiratave e gjakimeve të kombit e të dëshmorëve … /©Kabllogrami/

Lexo edhe

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por mund të zgjedhni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë