Kosova, mrekullia e Ligës së Kombeve

Përfaqësuesja e Kosovës i ka lënë gojëhapur të gjithë nё vend dhe jashtё me paraqitjen brilante në Ligën e Kombeve. Të mahnitur me mrekullinë e re të Ballkanit kanë mbetur veçmas të huajt, të cilët kishin pak informacione për shtetin më të ri evropian. Mediet ndërkombëtare ekipin e Kosovёs e konsiderojnë si befasinë më të këndshme të këtij kompeticioni. Ato besojnë thashmё se pёrfaqёsuesja e Kosovёs mund tё kualifikohet edhe nё Euro 2020, raporton Kabllogrami

“Mrekullia e Kosovës do të luftojё për një vend në Euro 2020”, shkruan gazeta spanjolle Marca.

“Kosovës i jepet mundësia për t’u kualifikuar në Euro 2020”, raporton anglezja, Sky Sports.

Jehonë të madhe ka pasur edhe në mediat e rajonit, të cilat kanë shkruar gjerë e gjatë për këtë sukses të Kosovës.

“Çudia Kosovë në prag të evropianit, Gjermania në fund të pusit”, ka si titull në ballinë revistas kroate, Tportal, përcjell Telegrafi.

Për ekipet kombёtare mesatare apo tё vogla të futbollit evropian, Liga e Kombeve u ofron atyre mundësinë për të luajtur ndeshje ndaj kundërshtarëve të barabartë, ndërsa nёse fitojnё grupin, u mundëson edhe të luajnë për kualifikimin në “Euro 2020” dhe për ekipet e vogla ёshtё njё prej mundёsive më të mëdha në historinë e futbollit të tyre.

Edhe revista e njohur amerikane “Forbes” ia ka kushtuar një shkrim të veçantë Përfaqësueses së Kosovës, e cila konsiderohet si mrekullia e Ligës së Kombeve dhe si ekipi që ka befasuar më së shumti për të mirë në këtë kompeticion, bën të ditur Zëri.

Historia e Kosovës në futbollin evropian daton vetëm më vitin 2016, por fitorja 4:0 ndaj Azerbejxhanit të martën është momenti më i lavdishëm i tyre. Shteti, i cili kishte shpallur pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, luftoi gjatë dhe shumë për t’u pranuar në UEFA dhe e nisi aventurën e saj pa lojtarë tё spikatur, pa stadium, por vetëm me shpresë. Tani ata kanë gjasa mjaft të mira për t’u kualifikuar në Kampionatin Evropian të vitit 2020.

Për një shtet i cili pati emigrim të madh gjatë fundviteve të ’90-ta për shkak të luftës, kjo bëri që të krijohej një gjeneratë e tërë, e ndërtuar nga emigrantët që ishin shpërngulur si fëmijë ose kishin lindur pak pas shpërnguljes së prindërve të tyre, dhe mund t’i ofrojnë shumë talente Kosovës.

Perspektiva e kualifikimit është mundësia më e madhe për një shtet që tashmë ka arritur aq shumë. Në udhëtim te Finlanda në shtator të vitit 2016, Kosova me vёshtirёsi komponoi ekipin. Për ndeshjen e tyre të dytë ata ishin të detyruar që të luajnë në Shqipëri sepse asnjë stadion në Kosovë nuk i plotësonte kushtet për ndeshje ndërkombëtare. Për ndeshjen e tyre të tretë ekipit i ishte ndaluar hyrja në Ukrainë, shtet i cili nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe ndeshja u luajt në Poloni. Të vish prej kësaj dhe t’i afrohesh kualifikimit është një arritje e jashtëzakonshme. Madje edhe në nisje të Ligës së Kombeve, ata ishin kuotuar në fund në grupin me katër ekipe. Por ata bёnё befasinё e madhe. Kosova e mbylli grupin si e pamposhtur duke realizuar 15 gola dhe duke pranuar vetëm 2 në 6 ndeshje, transmeton Kabllogrami.

Kualifikimi në ‘Euro 2020’ do të ishte një ëndërr e bërë realitet. Të gjithë në Kosovë kanë vuajtur shumë përgjatë dekadave të fundit, sidomos sportistët. Shumë prej organizimeve ndërkombëtare sportive ua mbyllën derën shqiptarëve në Kosovë dhe kurrë nuk iu dha rasti për t’iu treguar se mund të luajnë, të luftojnë dhe të jenё garues të fortë pothuajse në çdo sport. Kualifikimi për në turne do të bënte këdo në Kosovë krenar dhe do t’ua jepte çdo fëmije një ëndërr për të punuar shumë për të kapur shansin e tyre.

Kosova në gjysmëfinale të Ligës D do të luajё si mysafire në mars të 2020 me Maqedoninë, nё vetёm njё ndeshje e cila do tё zhvillohet nё njё nga stadiumet e shtetit fqinjё. /©kabllogrami/

 

Lexo edhe

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por mund të zgjedhni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë