Pas takimit të sotëm të kryeministrit Ramush Haradinaj dhe kryeparlamentarit Kadri Veseli me krerët e SBASHK-ut, të cilëve u printe kryetari i kësaj sindikate, Rrahman Jasharaj, arritën marrëveshjen për, siç thanë ata, ndërprerjen e grevës dhe nisjes së mësimit nga dita e hënë, raporton Kabllogrami.
Por u tha nga disa sindikalistë të tjerë të SBASHK-ut, se asgjë nuk është definitive derisa Këshilli Drejtues i SBASHK-ut të mblidhet dhe të vendosë lidhur me marrëveshjen e arritur nga kryetari i tyre Rrahman Jasharaj me krerët institucionale të Kuvendit e Qeverisë.
Kështu, diç pas orës 15, Këshilli Drejtues i SBASHK-ut ka nisur mbledhjen për këtë qëllim dhe pas diskutimeve kanë vendosur për pezullimin e grevës dhe kanë njoftuar se mësimi do të fillojë të hënën, ashtu siç thanë sot më herët edhe Haradinaj dhe Veseli.
Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj në mbledhjen e Këshillit Drejtues të SBASHK-ut, ka thënë se “sot jemi takuar në Kuvend me kryeparlamentarin Kadri Veseli e kryeministrin Ramush Haradinaj. Lëvizja e re e Qeverisë ka qenë lëvizje dukshëm më e mirë (se të mëhershmet) dhe e pamë që ka lëvizje që nuk është për t’u nënçmuar por për t’u respektuar. Ne i thamë po në parim, por jeni ju ata që vendosni ashtu siç ju keni vendosur për grevë, vendosni ju nëse do ta ndalim”, transmeton Kabllogrami.
Sindikalisti, Ymer Ymeri ka propozuar për pezullimin e grevës, por jo edhe anulimin e saj. Sipas tij, greva mund të anulohet vetëm pas votimit të ligjit në Kuvend. Në rast të miratimit të ligjit për pagat në Kuvend, ai pritet të hyjë në fuqi nga shtatori. /©Kabllogrami/