Kelmendi thotë se vlera e medaljes së artë në Minsk rritet akoma sepse u fitua në vendin që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës
Xhudisjta në karierë Majlinda Kelmendi ka shprehur gëzimin dhe entuziazmin pas triumfit për medaljen që i mungonte, derisa trajneri i Kosovës në xhudo, Driton Kuka, ka thënë se atë që s’po din e s’po e bën politika po e bën sporti. Kuka thotë se nuk ka pritur që në Lojërat Evropiane që po zhvillohen në Minks të Bjellorusisë të fitojë tri medalje.
“Majlinda Kelmendi fitoi të artën në kategorinë deri 52 kilogramë, Nora Gjakova të argjendtën në kategorinë deri 57 kilogramë dhe Loriana Kuka të bronztën në kategorinë deri 78 kilogramë. E i gjithë ky sukses në një vend që se njeh Kosovën”, sipas trajnerit kosovar Driton Kukës, tregon atë “që po thuhet në popull se sporti po e bën atë që s’po e bën politika”.
“Është medalja e parë në Lojëra Evropiane, hera e parë që mora pjesë dhe fitova. Është medalje që më ka munguar në raportuarin tim të medaljeve”, ka thënë Majlinda Kelmendi, teksa është shprehur e lumtur për mënyrën se si u kthye në luftë pas dy vjetësh pauzë.
“Jam shumë e lumtur sepse ka dy vjet që s’kam garuar në kampionat për shkak të lëndimeve dhe thjesht kjo medalje më ka bind që jam kthyer në top-formë e jam gati për garat e ardhshme”, ka thënë ajo.
Ajo e ka cilësuar si tejet të fortë garën në Minsk.
“Gjysmëfinalja dhe finalja ishin më të vështirat. Rusja është me shumë përvojë, ka fuqi të madhe fizike. E fitova me ‘golden score’ (kohën shtesë)”, ka thënë ajo.
E shijen fitores thotë se ia ka shtuar edhe fakti se gara është mbajtur në Minsk të Bjellorusisë, në vendin që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.
“Diçka që më gëzoi për veç faktin që jemi në Bjellorusi si shtet që s’e ka pranuar Kosovën e krejt publiku ishte me të, e unë kisha një pjesë të sportistëve që më përkrahte”, ka thënë Kelmendi.
Ajo e ka thënë për Sportin në KTV se fitoren i dedikon Labinot Parduzit, djalit të tezes së saj, i cili humbi jetën para disa muajsh dhe i cili ishte ai që e motivonte Majlindën në momente të vështira të karierës së saj. /©Kabllogrami/