Kapiteni i ekipit dialogues: Presidenti deri të premten duhet ta dorëzojë dokumentacionin për Dialogun
Delegacioni shtetëror i Kosovës për dialogun me Serbinë i ka dërguar dje kërkesë presidentit Hashim Thaçi për marrjen e dokumentacionit të procesit që është zhvilluar deri më tani. Këtë e ka bërë të ditur njëri nga dy kryesuesit e Ekipit Negociator, Shpend Ahmeti, i cili thotë se Thaçi ka kohë deri të premten që të dorëzojë materialin e kërkuar, derisa shton se presidenti duhet ta kuptojë që kjo nuk është garë me njëri-tjetrin.
“E kemi dorëzuar edhe zyrtarisht kërkesën si delegacion shtetëror te Presidenca, që të na ofrojë të gjithë materialin që e ka në dispozicion deri të premten, që i bie 11 janar. Pra, ne kërkojmë që të na dorëzohet ky dokumentacion, që ka diçka që është diskutuar, ato çështje mund t’i flasim. Nuk ka kuptim që neve si delegacion shtetëror, të mos na vihet në dispozicion dhe nuk kam parë ndonjë rezistencë të madhe, tash mbetet ta shohim. Pra, edhe Thaçi duhet ta kuptojë që nuk është kjo garë me njëri tjetrin, është një bisedë, një dialog goxha i vështirë dhe këtu mund të kemi ndoshta idetë e ndryshme, mospajtimet, por besoj që Kosova do të ishte shumë më e fuqishme po ta kishte një zë dhe këtu gjithmonë”, ka thënë Shpendi për KP.
Ai është skeptik se do të ndodhë marrëveshja përfundimtare me Serbinë, e nëse marrëveshja ndodhë, sipas tij, duhet të jetë fitore për të dyja palët, ku Kosova e fiton përfundimin e formalitetit dhe pavarësisë, duke u bërë anëtare e Këshillit të Sigurimit. Teksa sipas tij, edhe Serbia përfundimisht heq dorë nga një barrë e madhe, me garancën që e kërkon për minoritetin serb në Kosovë. /©Kabllogrami/