Kanadaja po ndeshet me një krizë të thellë politike pas dorëheqjes së ministres së Drejtësisë dhe akuzave të ngritura ndaj kryeministrit Justin Trudeau për ndërhyrje në një proces penal.
Jody Wilson-Raybould, e cila më parë ka mbajtur dhe detyrën e kryeprokurores akuzoi kryeministrin Trudeau se i kërkoi të ndërhynte tek prokurorët që të arrinin një marrëveshje me gjigantin e inxhinierisë së ndërtimit, SNC-Lavalin, i cili është përfshirë në një skandal korrupsioni në Libi.
Sipas saj, kreu i qeverisë i ka kërkuar që të mos niste proces penal ndaj kompanisë, por të arrihej një marrëveshje, transmeton oranews.
Këto akuza kanë shkaktuar rënien e popullaritetit të kryeministrit Trudeau, që vetë përgënjeshtroi çdo ndërhyrje për të ndikuar procesin ndaj subjektit SNC-Lavalin. Megjithatë ai pranoi se ka thirrur për konsultime Wilson-Raybould, gjatë një takimi në mes të shtatorit. Por mohoi akuzat se kishte qëllim të mbante të pacenuar figurën e SNC-Lavalin për arsye elektorale. /©Kabllogrami/