Kryetari i Këshillit Nacional të Partisë ‘Nisma Social-Demokrate’, njëherësh ish deputet dhe ish kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, i ka reaguar përmes një postimi në faqen e tij zyrtare në Facebook, Ministrit të Jashtëm serb Ivica Daçiq i cili sërish drejton shtizat nga Kosova duke thënë se “Kosova është një pikë qendrore e paqëndrueshmërisë në të gjithë Ballkanin”, transmeton Kabllogrami.
Jakup Krasniqi ka ironizuar duke thënë se: “Kushdo tjetër në Evropën Juglindore po ta thoshte ketë që po e thotë Daçiq, me të drejtë njeriu do të pyeste: Njeriu që i ka shqiptuar këto fjalë a është normal? Po kush nuk e dinë se ku është “qendra e paqëndrueshmërisë në Ballkan”? Por, pasi kjo thuhet nga bashkëpunëtori e bashkëpartiaku i kriminelit më të madh të pas Luftës së Dytë Botërore në Europë, Ivica Daçiq, për çmendurinë e tij nuk besoj që dyshon ndonjë njeri normal që ecën vertikalisht në ketë pjesë të Evropës”.
Krasniqi më tutje ka arsyetuar masat që janë marrë dhe që mund të merren në të ardhmen nga autoritetet Kosovare kundër Serbisë, nëse kjo e fundit vazhdon me këso politika të papërgjegjshme profashiste që vetëm tragjedi i kanë sjellur rajonit: “Kjo është edhe një dëshmi tjetër se çdo masë që e kanë marrë e do ta marrin sot e nesër nga udhëheqësit e Kosovës ndaj Serbisë, e cila vazhdon të udhëhiqet nga këta kriminelë të dëshmuar si në kohë e po ashtu edhe në hapësirë, do të jenë jo vetëm të drejta por edhe të domosdoshme.”, ka thënë Krasniqi.
“Me ketë sortë të njerëzve, para tyre, çdo varje e qafës, është dështim dhe nënshtrim!
Këta kriminel nuk njohin gjuhë e komunikim njerëzor! Prandaj, shpërbërja e ish Federatës Jugosllave është bërë me gjakderdhje të shumta.
Amnistia e tolerimi i këtyre njerëzve do të thotë: Mungesë të paqes, të lirisë, të perspektivës e të mirëkuptimit në Ballkan!
Ballkani e ballkanasit kanë perspektivë, por jo me këta kriminel në liri!”, ka shkruar në fund të postimit të tij Jakup Krasniqi. /©Kabllogrami/