IBRAHIM RUGOVA KRIJUES

Nga Sabri Hamiti

Nga Sabri Hamiti

1. Po rikujtojmë sot dy decenie të krijimtarisë letrare e të formimit intelektual të Ibrahim Rugovës (1967-1987), për të kuptuar formatin kulturor e nacional të njeriut që për dy deceniet në vazhdim (1987/8 – 2006) u bë prijësi politik i Kosovës.

2. Leonardo Da Vinçi, piktor dhe shpikës gjenial, në fund është trembur nga madhështia e natyrës, qoftë me veprën e vet të kulturës. Mbasi ka krijuar pikturat e famshme, “Mona Liza” e “Darka e fundit”, në fund të jetës ka bërë “Auto­portretin”. Çështja është ballafaqimi i fortë natyrë/kulturë. E para mban misterin e krijuesit suprem. E dyta mban drithërimën e krijuesit njeri, i cili padashur bie në mëkatin e ëndrrës të rivalizimit me krijuesin suprem. Është ëndrra e fëmijës që nuk ka fund, për t’u bërë Krijues (ai që shpik). Kurse, e matur me jetën e njeriut, mbërrin vetëm të bëhet Autor (ai që shton).

3.

Tani jemi në fushën e kulturës dhe Ibrahim Rugova shkrimin e librin i kishte dhe i bëri kult në rini. Këtë e pa empirikisht në Shkollën Normale në Pejë, duke mësuar që ka një mospajtim ndërmjet shkollës (dijes) e krijimit. Pikërisht atëherë kur Mësuesi nuk ia pranoi Krijimin, duke e parë tepër të përkryer për një Nxënës, duke e rezervuar përkryerjen për Krijuesin.

4.

Këtë mister Ibrahim Rugova u nis ta zgjidhë pas ardhjes në Prishtinë në studimet letrare, më 1967; e sidomos kur u bë Autor mbas vitit 1968, së pari te revista “Fjala” me esetë “Zenite letrare”, ku në veprën letrare kërkonte ta gjente Autorin, duke bërë të kundërtën e zotërimit të mendimit të atëhershëm. Ese që u botuan në librin “Prekje lirike” në vitin 1971. Në rrethin kulturor letrar të brezit të 68-tës në Universitet, kjo u bë vepër në shkrime, botime e bisedime për krijimin në rrethin më të ngushtë, ku ishin Rexhep Ismajli, Eqrem Basha, Beqir Musliu, Teki Dervishi, unë, që po dëshmoj, e të tjerë. Krijuesit e rrethit i botonin punimet te gazeta “Bota e re”, te revista “Dituria” dhe librat te ky botues. Artikulimet e tyre letrare me synim rimarrjen e trashëgimisë shqipe në komunikim me modernitetin evropian, u dukën si alternativë letrare e rrafshit të përparshëm të etabluar. Kulti i ri letrar u bë libri, dalja e të cilit quhej festë, e përcjellë me diskutime. Në këtë komunikim letrar dhe kulturor, Ibrahim Rugova u shqua si lexuesi i parë publik i botimeve të reja.

5.

Ibrahim Rugova hyri në Institutin Albanologjik më 1972, për t’u ngritur deri në nivelin e titullit të Këshilltarit Shkencor. Tashmë me staturën e Autorit e të autoritetit letrar, Ibrahim Rugova ngjitej shkallëve të ekselencës. Në një anë, duke gjurmuar letërsinë klasike shqiptare për të rimarrë trashëgiminë. Në anën tjetër, duke lexuar e vlerësuar letërsinë bashkëkohore. Në thelb, duke thelluar njohjen e aktit krijues, studimin e formave letrare, për të kurorëzuar teorinë e kritikës e të letërsisë, duke u ballafaquar me metodat moderne evropiane. Për ta parë identitaren shqiptare në vallen e universalieve të letërsive të tjera bashkëkohore. Risi, shumësi metodash, pa fetishizime, nënvizonte atëherë Rugova. Pamja e kritikut u shfaq: si bibliograf, si interpretator, si teorik, madje si kronikan në vështrimin e “Kohëtores” të Faik Konicës. Po edhe duke u matur me metoda kërkuese e disiplina bashkë­kohore, si strukturalizmi e semiologjia.

6.

Ibrahim Rugova më 1977 shkoi për qëllim studimi në Paris, në Collège de France, ku takoi Rolan Bartin profesor, duke qenë vetë “élève libre” [nxënës i lirë]. Në parantezë: Collège de France është institucion akademik krejt i veçantë ku nuk ka studentë të rregullt; nuk ka regjistrim, mësimi është falas, institucioni nuk lëshon asfarë diplome, prania në kurse është e lirë, mund të hyjë gjithkush. Këto nuk janë aspak kurse të vulgarizimit, por të ekselencës; profesorët duhet të paraqesin kërkimet e tyre në rrjedhë (“në çastin e të bërit”). Ata flasin çka duan, pasi nuk ka detyrime as diplomë, por kjo duhet të jetë përherë e re. Nuk ka të drejtë asnjëherë të përsëritet kursi.

Pra, Rugova nuk shkoi në Francë për të bërë një diplomë, e as që mori diplomë. Mirëpo, aty gjeti një parajsë diturie, ku shpirti hapet i lirë për të shfaqur të gjitha kapacitetet e të vërejturit dhe të filozofimit. Ky duhet të ketë qenë viti më frytdhënës në botën e tij intelektuale, kur e poq ndërgjegjen fundamentale: për mendimin e lirë dhe njeriun e lirë.

7.

Me t’u kthyer në Prishtinë Ibrahim Rugova iu kthye studimit të veprës së Pjetër Bogdanit, “Cuneus Prophetarum”, studim të cilin e kurorëzoi për tri vite dhe e botoi me titullin “Vepra e Bogdanit: 1675-1685” në vitin 1982. Aty Rugova shpaloi e dëshmoi diturinë sistematike e pasionin letrar, duke zbuluar vlerat fundamentale të letërsisë filobiblike shqiptare, të lakuara në fushat e semiologjisë, të mitologjisë e të humanistikës. Libri u çmua me Shpërblimin e Dhjetorit për letërsi.

8.

Ibrahim Rugova e mbrojti tezën e doktoraturës me temë “Kahe dhe premisa të kritikës letrare shqiptare: 1504-1983” në Prishtinë më 1984. Libri u botua dy vite më vonë. Është kjo një histori e padeklaruar e kësaj forme letrare në letërsinë nacionale. Në vitin 1987 botoi veprën “Refuzimi estetik”, që është libri i fundit i botimeve të tij letrare. Ai aty ngrente procedurën e kontestimit të diktaturës e të totalitarizmit, duke mbrojtur në të njëjtën kohë natyrën e letërsisë. Sepse ushtrimi i lirisë deri në fitoren kolektive kërkon forma të tjera të kontestimit, të gjuhës në veprim e të aktantit dhe të autoritetit. Shkurt: nga “Refuzimi estetik” kalohet në “refuzim politik” të shqiptarëve ndaj dhunës.

9.

Në gjashtë libra shfaqet profili kritik i Ibrahim Rugovës: leximi krijues te vepra “Prekje lirike” (1971), specifika e qenësia letrare te vepra “Kah teoria “ (1978), kritika e vlerësimi i poezisë te libri “Strategjia e kuptimit” (1980), filozofia e semantika letrare te “Vepra e Bogdanit” (1982), sistematizimi i kritikës shqipe te vepra “Kahe e premisa të kritikës letrare shqipe: 1504-1983” (1986), raporti i intelektualit me pushtetin te libri “Refuzimi estetik” (1987).

10.

Askush nuk shkruan pasthënie të veprave të veta. Edhe Rugova e shkroi tekstin e fundit (“Xhojsi, shqipja, Aristoteli”) si parathënie për kërkimet e veta të mundshme teorike-filozofike-letrare, që nisin nga Antikiteti. Imagjinonte se do të vijonte të kërkonte Krijuesin te vetja, por ylli i tij i tha ndryshe: do të bëhesh Krijues në një fushë tjetër, të lirisë së njeriut, të lirisë së vendit. Më 1988 Rugova u bë kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, duke ia falur zemrën dhe shpirtin artikulimit të vullnetit të popullit të vet. Më 1989 krijoi formacionin politik, demokratik e pavarësist të Kosovës (LDK), dhe u bë prijës shpirtëror dhe politik i Kosovës deri sa ndërroi jetë. /©Kabllogrami/

 

Lexo edhe

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por mund të zgjedhni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë