Forcat policore të Hong Kongut kanë hedhur gaz lotsjellës dhe i kanë rrahur disa protestues pasi këta të fundit u përleshën me trupat e sigurisë. Kjo përplasje ndodhi pas një proteste paqësore të pasdites dhe ndarjes së protestuesve në disa grupe.
Dhjetëra mijëra protestues morën pjesë në protestën që shënoi fundjavën e dymbëdhjetë të kryengritjeve. Marshi paqësor, i cili ishte i ndaluar nga policia, u shndërrua në përleshje të dhunshme mes policisë dhe protestuesve gjatë pasdites pasi protestuesit bllokuan rrugët pranë një stacioni policor.
Rreth orës 4 e 40 të pasdites së të shtunës sipas kohës lokale, policia filloi t’i godiste protestuesit, ndërsa këta të fundit hodhën në drejtim të policisë shkopinj të trashë dhe objekte të tjera.
“Protestuesit thjesht nuk kanë mundësi që ta mbrojnë veten. Policia është duke e keqpërdorur fuqinë e vet”, tha një burrë që po e shikonte këtë skenë.
Rruga ku ishin protestuesit mbeti bosh pas operacionit të policisë, i cili zgjati rreth 15 minuta. Sidoqoftë, protestuesit u mblodhën sërish në pjesë të tjera të qytetit në mbrëmjen e hershme të së shtunës, ku përsëri pati përleshje me policinë, shkruan “The Guardian”.
Protesta vazhdoi edhe në orët e vona të natës, kur protestuesit vendosën barrikada me shporta të mbeturinave dhe objekte tjera dhe ia drejtuan laserët një stacioni policor. /©Kabllogrami/