Hendbolli në Kosovë: Cilësi e konkurrencë në rritje

Kastrioti e Besa në konkurrencën e meshkujve e kanë mbyllur në krye me pikë të barabarta stinorin vjeshtor në Superligën e Kosovës në hendboll, përcjell Kabllogrami.

Kështu pas një kohe të gjatë skuadra pejane Besa e ka një konkurrent të fuqishëm në garën për titull të kampionit në hendboll. Për shkak të goldallimit më të mirë, Kastrioti është lider.

Të dyja skuadrat i kanë nga 13 fitore e një humbje, nga 26 pikë, ndërsa në përballjen direkte Kastrioti ka pësuar nga Besa (21:19), skuadra që në vitet e fundit e ka dominuar pa ndonjë telashe hendbollin kosovar. Besa humbjen e vetme në këtë edicion e ka nga Prishtina, shkruan sot Koha Ditore.

Ndeshjet e fundit të stinorit vjeshtor në elitën e hendbollit kosovar janë luajtur në fundjavë. Në kuadër të javës së 14-të Besa Famgas të dielën e mposhti Vushtrrinë me shifrat 36:11. Të dielën u luajt edhe takimi Samadrexha – Drenica, ndërsa fitore shënuan vendasit me rezultat 37:26. Të shtunën fitore shënuan Prishtina ndaj Vëllaznimit (42:27) e Drita ndaj Trepçës (33:23), ndërsa Kastrioti të premten mposhti Zhegrën me rezultat 52:34.

Gjithashtu edhe në konkurrencën e femrave po vërehet ngritje e cilësisë dhe konkurrencës. Ditë më parë raportuam për sukseset e Klubit të Hendbollit ‘Istogu’ (femrat) të cilat po ja zbardhin fytyrën sportit kosovar duke u kualifikuar lartë në garat evropiane. /©Kabllogrami/

 

Lexo edhe

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por mund të zgjedhni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë