Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, pas mbledhjes së sotme të Qeverisë foli sërish për çështjen e dialogut me Serbinë dhe taksën.
Ai deklaroi se, njohja e shtetit kosovar nga Serbia, është kërkim faljeje për veprimet që ka kryer Serbia në Kosovë, duke thënë se është i gatshëm të bisedojë edhe për marrëdhëniet tregtare me shtetin serb.
Haradinaj këto komente i bëri duke u ndërlidhur edhe me deklaratën e shefes së BE-së për Politikën e Jashtme, Federica Mogherini, e cila tha se, pa u hequr taksa nuk do të ketë raund të ri të bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë.
Kreu i Qeverisë tha gjithashtu se, nëse partneri i koalicionit qeverisës, Kadri Veseli kërkon që të shkohet në zgjedhje të reja parlamentare, do ta shqyrtojë këtë çështje pa ndonjë problem. /©Kabllogrami/