Heshtja e Bashkimit Evropian karshi letrës së kryeministres serbe, Ana Bërnabiq drejtuar homologëve të vendeve tjera për të tërhequr njohjet e shtetit të Kosovës, ka shtyrë kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj të reagojë.
Në një konferencë për media të mbajtur pas mbledhjes së Qeverisë, Haradinaj ka kërkuar nga përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini dhe komisioneri Johanes Hahn që të reagojnë ndaj veprimeve të Serbisë.
Ai ka kujtuar se sa e zëshme ishte BE-ja karshi taksës 100% ndaj produkteve të Serbisë, ku ka kërkuar vazhdimisht që Kosova të tërheq atë, teksa ka shtuar se është pikërisht kjo qasje e BE-së shkaktare e gjendjes që po mbretëron aktualisht.
I pyetur nëse korrigjimi i kufirit mund të jetë në tryezën e bisedimeve në Bruksel, pavarësisht qëndrimeve kundërthënëse me presidentin Hashim Thaçi, Haradinaj tha se nuk dëshiron të flasë për korrigjimin e kufirit.
Sa i përket deklaratës së presidentit për bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën, ai tha se është në të gjitha aspektet me preshevarët, porse theksoi se këto dy çështje nuk janë të njëjta. Kryeministri foli edhe për një koncept-dokument të Qeverisë për lojëra të fatit, ku ka sqaruar se Kosova synon të vendosë rend edhe për këto të fundit. /©Kabllogrami/