Prishtinë, 5 prill 2019 – Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka udhëtuar të premten (sot) drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai është ftuar nga komuniteti shqiptar, për të marrë pjesë në shënimin e 108-vjetorit të Kryengritjes së Malësisë, që do të mbahet në kishën “Shën Pali” në Detroit.
Gjatë qëndrimit në SHBA, Haradinaj do të zhvillojë takime edhe me përfaqësues të komunitetit shqiptar dhe me autoritete në Detroit, por edhe me zyrtarë të tjerë amerikanë.
Kjo është vizita e parë e Haradinajt në SHBA prej vendosjes së taksës doganore prej 100 % për qind ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, në nëntor të vitit të kaluar.
Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar që Qeveria e Kosovës të pezullojë taksën, me qëllim që t’i jepet mundësi vazhdimit të dialogut me Serbinë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
Në muajin janar, Haradinaj nuk kishte marr pjesë në Lutjet e Mëngjesit, ndonëse kishte marrë ftesë për këtë ngjarje.
Mediat kishin raportuar se Haradinaj nuk ishte pajisur me vizë udhëtimi për në SHBA, shkaku i qëndrimit të fortë kundër heqjes (pezullimit) të taksës, gjë të cilën ia kërkonin nga administrata amerikane. /©Kabllogrami/