Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se nuk është Kosova ajo që po bllokon dialogun me Serbinë, por është vet Serbia. Në një konferencë për media, ai ka thënë se s’ka kërkuar kurrë garanci se çka do të ndodhë në dialog, por ka kërkuar kontratë.
“S’kam lyp garanci. Kam fol për kontratë. I besoj Amerikës dhe kur ata thonë diçka e di se është ashtu. Por për shumë arsye ne po kërkojmë një kontratë me elementet përbërëse të saj, përfshirë ekonominë dhe tregtinë e lirë. Kjo është ajo që po kërkojmë. Garanci më të madhe se njohja e Amerikës s’mund të kemi. Megjithatë, për marrëdhëniet Kosovë-Serbi na intereson të dimë elementet e kontratës. Unë u besoj amerikanëve dhe si të më thonë kjo është formula, unë u besoj. Ne po kërkojmë kontratë të dimë ka shkon dialogu. Dialogun e ka bllokuar Beogradi sepse ata thonë se pa u heq taksa s’ka dialog. S’e kemi bllokuar ne. Ne ishim në dialog edhe duke e ditur se jemi viktimë e kemi mijëra të zhdukur e viktima. Më mirë është të themi tash jo se të marrim një kontratë pasi të shkojmë atje e s’do të ishte mirë t’u themi atëherë jo. Të dimë për çka po shkojmë në dialog”, ka thënë Haradinaj.
Ai ka shtuar se presioni ndërkombëtar mbi Kosovën për të hequr taksën është presion mbi viktimën.
Haradinaj ka thënë se me presidentin dhe kryeparlamentarin kanë pikëpamje të ndryshme në disa pika, por janë unikë për platformën për dialog.
“S’mund të thuhet se Kosova s’po flet me një zë. Kemi delegacionin që është votuar edhe me ligj dhe ky është uniteti i Kosovës. Jemi të gatshëm të dialog, kur të jenë pala tjetër gati ne i presim”, ka shtuar ai. /©Kabllogrami/