Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, ka thënë të enjten se protestat në Podgoricë kundër Qeverisë së tij nuk janë qytetare por politike dhe se prapa tyre qëndrojnë partitë politike me synime të qarta politike. Duke folur për emisionin “Intervju” të TVCG-së, Gjukanoviq ka përsëritur se nuk do të japë dorëheqje, megjithëse kjo është njëra prej kërkesave kryesore të protestuesve, ka raportuar e përditshmja “Blic”.
Presidenti malazez ka pretenduar se idenë politike e kanë artikuluar strukturat parapolitike, ato që për vite me radhë “e kanë ngulitur idenë e ndërrimit të dhunshëm të pushtetit, e në këtë mes janë edhe gazeta ‘Vijesti’, një numër i konsideruar i OJQ-ve dhe mediat e opozitës, ani pse paraqiten si të pavarura”.
“Qëllim i tyre është ndryshimi jodemokratik i pushtetit”, ka thënë Gjukanoviq dhe ka shtuar se kësaj radhe ato kërkojnë që ta lënë shtetin “pa shtet” dhe t’i shkatërrojnë institucionet.
“Jemi të gatshëm të bisedojmë për çdo çështje që i prek qytetarët, ama nuk jemi të gatshëm për ultimatume dhe nuk jemi të gatshëm as për shkatërrime, dhe kjo është mbase e logjikshme”, ka thënë Gjukanoviq. /©Kabllogrami/