‘Gernika’ piktura që krijoi histori duke luftuar fashizmin
E hapur gjatë Luftës Civile në Spanjë, Ekspozita e Parisit e vitit 1937 i lejoi artistët të shprehen kundër brutalitetit. Kritikja Fiona Macdonald analizon kohën kur arti u bë mjet propagande.
Më 26 prill 1937, bombarduesit gjermanë dhe italian sulmuan qytetin bask të Gernikës (Guernica). Përgjatë tri orëve, ata shkatërruan tri të katërtat e qytetit të lashtë, duke vrarë dhe plagosur qindra njerëz. Sulmi ishte “i pashembullt në historinë ushtarake”, thuhet në raportet e kohës, dhe kjo frymëzoi një nga pikturat më të famshmet të anti-luftës në histori.
Picasso ishte autorizuar të krijonte një mural për Ekspozitën e Parisit më 1937. Pasi lexoi raportet e sulmit në Gernikë nga aleatët e Frankos, ai filloi punën në një pikturë që do të simbolizonte luftën më të gjerë kundër fashizmit. Sipas historianit të artit, Fernando Martin, “për herë të parë në historinë bashkëkohore të luftës, një qytet me popullsinë e tij civile ishin asgjësuar, kjo edhe si taktikë trembjeje, por edhe si një mënyrë për të testuar makinerinë e luftës”. Ai thotë se Picasso e dinte që ky moment duhet të ishte subjekt i muralit të tij për pavijonin.
Murali kërkonte kohë dhe duheshin muaj për ta përfunduar. Derisa pikturonte, për të kundërshtuar thashethemet se ai po i mbështeste nacionalistët, Picasso lëshoi një deklaratë: “Veprën në të cilën po punoj do ta quaj ‘Gernika’ dhe në të gjitha veprat e mia të fundit të artit, qartë e shpreh neverinë time ndaj kastës ushtarake që ka zhytur Spanjën në një oqean dhimbjeje dhe vdekjeje”.
Poeti Jose Bergamin kishte thënë se “’Gernika’ nuk ishte një pikturë, por grafit, një grafit i bërë nga gjeniu”. E pikturuar në kanavacë me cilësi të dobët, “Gernika” po ashtu mund të ishte shkatërruar. Sipas Punyet Miros, kjo vepër u kursye “pasi nga Picasso u kërkua të dërgohet në Londër e pastaj në Shtetet e Bashkuara”.
“Gernika” merr kuptim më të gjerë në vitet që pasuan. Ajo flet për Luftën Civile Spanjolle dhe fatin e civilëve baskë, katalanë e spanjollë, si dhe për bombat që vranë kaq shumë njerëz në qytetin Bask. “Ajo gjithashtu vë në dukje të gjitha luftërat”, thotë Bonet. Ndërsa, shkrimtari francez, Michel Leiris, për këtë vepër ka thënë: “Në një kanavacë bardhezi që përshkruan tragjedinë e lashtë … Picasso shkruan gjithashtu letrën tonë të katastrofës: gjithçka që duam do të humbasë.”
Picasso kështu përmblodhi vendimin e tij, për vitin 1937 kur krijoi historinë përmes pikturës së “Gernikës”: “Gjithmonë kam besuar dhe besoj se artistët që jetojnë dhe punojnë për vlerat shpirtërore nuk munden dhe nuk duhet të mbeten indiferentë ndaj një konflikti në të cilin vlerat më të larta të njerëzimit dhe të qytetërimit janë vënë në rrezik.” /©Kabllogrami/