Gazeta franceze intervistё me Ismail Qemalin në Vjenë: Botuar nё ballinё mё 26 Nёntor 1912
Çfarë po pret Evropa për të na mbështetur ? Do të jetë e padobishme shpallja e të drejtës së kombit tonë për ekzistencë dhe autonomi kur ne nuk do të ekzistojmë më. Qëllimi i serbëve është i qartë: ata djegin, masakrojnë gjithçka gjatë rrugës së tyre; nuk u mjafton pushtimi i Shqipërisë, ata duan të shfarosin shqiptarët, kishte thёnё Ismail Qemali nё intervistёn pёr gazetёn franceze
Gazeta franceze, “Journal des Débats Politiques et Littéraires”, ka botuar dy ditё para shpalljes sё pavarёsisё sё Shqipёrisё, të martën e 26 nëntorit 1912, në ballinë, intervistën me Ismail Qemalin, zhvilluar në Vjenë me gazetarin me inicialet M. P.
Udhëheqësi shqiptar ka folur asokohe për gabimet e rënda të xhonturqve që shkelnin shqiptarët, për qëllimet hegjemoniste të Serbisë në vendin tonë dhe mbi të gjitha për pavarësinë e Shqipërisë.
Në vijim, do të gjeni intervistën e plotë, të sjellë në shqip nga Aurenc Bebja – Blogu “Dars (Klos), Mat – Albania”:
Letër nga Vjena
Ismail Qemali dhe çështja shqiptare,
Vjenë, 21 nëntor.
Ismail Qemal Beu, një nga udhëheqësit më të padiskutueshëm të Kombit Shqiptar, u ndal për disa ditë në Vjenë. Ai erdhi nga Budapesti, ku politikanët hungarezë i rezervuan një mikpritje të ngrohtë dhe ku personazhet zyrtare të monarkisë, pa u distancuar nga rezerva diplomatike e imponuar prej rrethanave, nuk i fshehën atij simpatinë dhe interesin e tyre për çështjen që ai mbron. Ai, me gjithë këmbënguljeve të tij, nuk arriti të takonte dukën Bertchold. Gjithsesi atë e vunë në kontakt me disa zyrtarë të lartë të Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Momenti i vizitës së tij në Budapest rastisi, për më tepër, në kulmin e krizës austro-serbe : çështja e konsujve shqetësonte opinionin publik, tashmë i pakënaqur me qëndrimin e papajtueshëm të Serbisë për çështjen e porteve. Ismail Qemali gjeti në Austro-Hungari një atmosferë të favorshme për projektet e tij: ai dukej disi i shqetësuar dhe nervoz.
“Po largohem sonte, më tha ai, për Trieste. Një anije austriake do të më çojë në Durrës, ku shpresoj të arrij para se të mbërrijë ushtria serbe. Nuk ka më kohë për të humbur. Miqtë e mi dhe unë do të përpiqemi të organizojmë një komitet mbrojtës në vend, një lloj qeverie të përkohshme. Por, duhet më në fund që Evropa të dalë nga indiferenca e saj dhe të manifestojë me anë të akteve interesin që dëshmon se ka për çështjen tonë të pafat. Në Austri, në Gjermani, si edhe në Francë dhe Angli, opinioni publik është në favorin tonë; e drejta jonë njihet unanimisht dhe ruajtja e pavarësisë sonë duket se është në përputhje jo vetëm me parimet e diplomacisë evropiane, por edhe me interesat e fuqive të mëdha. Çfarë po pret Evropa për të na mbështetur ? Do të jetë e padobishme shpallja e të drejtës së kombit tonë për ekzistencë dhe autonomi kur ne nuk do të ekzistojmë më. Qëllimi i serbëve është i qartë : ata djegin, masakrojnë gjithçka gjatë rrugës së tyre; nuk u mjafton pushtimi i Shqipërisë, ata duan të shfarosin shqiptarët.”
Ismaili i moshuar uli kokën dhe heshti për disa çaste, pastaj rifilloi :
“Ne nuk mundemi, nuk duam të bëhemi sllavë. Nga të gjitha kombet që popullojnë Ballkanin, kombi ynё është më i vjetri. Është e vërtetë se ne nuk jemi shumë të civilizuar: kemi vuajtur kaq shumë ! Por, a është kjo një arsye që një pemë, për shkak të mungesës së kujdesit, të pritet se nuk ka lulëzuar ? Ne ishim të parët, pas vitit 1908, që u ngritëm kundër pretendimeve tiranike të qeverisë xhonturke. Duke kërkuar atëherë reforma dhe një trajtim më të drejtë, duke protestuar kundër kërkesave të papajtueshme me zakonet dhe kushtet tona, ne nuk mbronim ekskluzivisht vetëm të drejtat e racës sonë, por edhe ato të të gjitha kombësive: programet tona asokohe dëshmojnë për këto qëllime. Përpjekjet tona nuk patën sukses : ata u shtypën nga represionet më të padrejta dhe të dhunshme te turqve.
Popujt e Ballkanit u bashkuan ; ata morën përsipër çështjen që ne tentuam të mbronim. Dhe sot kur ata triumfojnë, veprimi i tyre i parë është që të kthehen kundër nesh ! Ata i njohin qëllimet tona, të cilat nuk janë armiqësore ndaj tyre: ne i konsideronim si aleatë. Ata e dinë se ne nuk do të ndjekim asnjë plan zgjerimi dhe propagande; ne kërkojmë vetëm një gjë : që të na lënë të jetojmë në territorin ku gjendemi. Dhe këtë pretendim, ne do ta mbështesim deri në fundin më ekstrem. Ne nuk do të lejojmë as aneksimin, as ndarjen dhe as zhytjen e popullit tonë në rrjedhën e një popullsie të huaj. Çështjet e gjetjes së formulës politike apo ajo për krijimin e një qeverie janë dytësore, dhe, në kohën e tashme, na shqetësojnë pak. Pika thelbësore është që tani e tutje ndjenja kombëtare mbizotëron mbi të gjitha ndjenjat e veçanta, preferencat politike ose rivalitetet konfesionale. Katolikët, ortodoksët, myslimanët, të gjithë shqiptarët janë të bashkuar për të mbrojtur të drejtat e kombit dhe pavarësinë e Shqipërisë.”
Ismail Qemali pati përdorur gjatë bisedës fjalët “pavarësi” dhe “autonomi”. E pyeta nëse shqiptarët tashmë ishin të qartë për synimet e tyre. Ai bëri një gjest apatik :
“Çfarë vlere ka të luash me fjalët ? – tha ai. Askush nuk e kishte dëshiruar më shumë se unë rigjenerimin e Perandorisë Osmane ; askush nuk ishte më i vendosur se unë për të sakrifikuar shumë, gjithçka që ishte e mundur për të sakrifikuar, që Turqia të bëhej një shtet modern, i qeverisur dhe i administruar mirë, i qëndrueshëm dhe i fortë. Ne jemi rebeluar vetëm kundër abuzimit të pushtetit nga një parti, e cila paragjykonte të drejtat tona dhe kishte për qëllim të na shtypte si komb. Kjo parti (xhonturqit), tashmë, ka shkatërruar Turqinë : çfarë do të mbetet në Evropë nga Perandoria Osmane ? Nuk bëhet më fjalë për një Shqipëri autonome që i nënshtrohet sundimit të Turqisë. Lidhjet me një provincë të izoluar dhe të largët nga Perandoria do të ishin artificiale dhe të vështira për t’u mbajtur. Ne nuk kërkojmë autonominë, por pavarësinë : një pavarësi që nuk kërcënon askënd dhe madje u ofron disave garanci.”
Ndërsa isha gati t’i them lamtumirë, Ismail Qemali këmbënguli përsëri me shpresën se do të shihte Fuqitë e Mëdha të Evropës, të mbështesnin, në mënyrë efektive, kërkesat e Shqipërisë. Ai dukej shumë i kënaqur me aranzhimet që pati në Austro-Hungari, shumë më pak me ato që shtypi italian shkruante prej disa ditësh. “Shtypi, i thashë, nuk e përkthen gjithmonë mendimin e qeverisë.” Ismaili tundi kokën dhe nuk u përgjigj. /©kabllogrami/