Filharmonia e Kosovёs sot me dy vepra vendore: ‘Skënderbeu’ e Fahri Beqirit dhe ‘Dhimbja Simfonike’ e Mendi Mengjiqit
Orkestra e Filharmonisë së Kosovës sot sjellë para publikut nё kryeqytet, një program të veçantë e të larmishëm, me dy vepra të kompozitorëve kosovarë si dhe vepra të kompozitorëve të huaj, bёn tё ditur Kabllogrami
Drejtor i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari tha se koncerti ka më shumë tituj e vepra se koncertet e zakonshme duke veçuar dy vepra të kompozitorëve kosovarë. Jashari në konferencën e mbajtur dje për media falënderoi Ambasadën Franceze për bashkëpunimin për ta sjellë nё Prishtinë, pianisten e kompozitoren Françoise Chevaux. e cila do të prezantohet me dy vepra ku në njërën do të jetë soliste.
Në koncertin e sotёm vjen edhe Poema dramatike “Skënderbeu” e kompozitorit Farhi Beqiri. Kjo vepër vjen në nderim të 550 – vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, ndërsa ishte kompozuar para 50 vitesh asokohe kur ishte 500 – vjetori i vdekjes së Gjergj Kastriotit.
“Kemi fatin që e kemi kompozitorin mes nesh. Ky është një moment interesant besoj edhe për publikun i cili do të dëgjojë këtë vepër që ka vlera për muzikën tonë kombëtare”, u shpreh tutje Jashari.
Pjesa e dytë e koncertit do të sjellë veprën “Dhimbja Simfonike” të kompozitorit kosovar Mendi Mengjiqi, vepër kjo e cila ka marrë çmimin për “Vepër orkestrale, simfonike dhe koncertale” në konkursin e MKRS-së.
Pianistja e kompozitorja Françoise Chevaux tha se ndihet tejet e lumtur që përmes ftesës që i ka bërë Ambasada Franceze, ajo ka mundësi të takojë dhe të bashkëpunojë me muzikantë kosovarë e po ashtu edhe me dirigjentin Oscar Rubilar.
“Vepra ime është për dimrin, tashmë jemi në dimër e pikërisht kjo vepër e përshkruan këtë atmosferë, tha pianistja e kompozitorja Chevaux.
Dirigjenti Oscar Rubilar vjen për herë të parë në Kosovë, për të punuar me Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës. Ai tha se prapa po lë një javë intensive të punës ndërsa theksoi se është i befasuar, pasi që, për të është hera e parë që punon me orkestrën kosovare dhe me vepra të kompozitorëve kosovarë.
Krejt në fund koncerti do të përmbyllet me veprën “Uvertura tragjike Op.81” të Johannes Brams.
Koncerti do të mbahet sot, më 26 nëntor nga ora 20:00 në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë. /©kabllogrami/