Festë e homazhe gjithandej për 11-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës
Aktivitetet festive për 11 vjetorin e Pavarësisë së së Republikës së Kosovës, nisën qysh në orët e hershme të mëngjesit të ditës së sotme, për të vazhduar me aktivitete të tjera shtetërore deri në parakalimin e Ushtrisë së Kosovës në sheshet e kryeqytetit, raporton Kabllogrami.
Herët në mëngjes, ekzekutivi kosovar u mblodh nën drejtimin e kryeministrit, Ramush Haradinaj. Në këtë mbledhje kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj duke shprehur gjithë falënderimin për të rënët për liri, për miqtë dhe të gjithë ata që ndihmuan rrugëtimin e Kosovës drejt realizimit të aspiratave për liri dhe pavarësi tha se vendi në të ardhmen pritet të ballafaqohet me shumë sfida.
Aktivitetet vazhduan me ngritjen solemnisht të flamurit shtetëror në oborrin e Kuvendit.
Thaçi e Haradinaj fillimisht bënë homazhe te shtatorja e ish-presidentit, Ibrahim Rugova, dhe te memoriali për të pagjeturit.
Ata së bashku për homazhe vazhduan edhe drejt Prekazit. Në kompleksin memorial “Adem Jashari”, Thaçi e Haradinaj çmuan lartë kontributin e të rënëve për Pavarësinë e Kosovës.
Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, presidenti Hashim Thaçi, zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli e ministri i FSK-së, Rrustem Berisha, e shumë ministria tjerë kanë bërë homazhe në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz, me rastin e shënimit të 11-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
Liderët kanë vendosur edhe lule te varri i ish-komandantit të UÇK-së, Adem Jashari.
Gjithashtu, me rastin e shënimit të 11-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, anëtarë të kryesisë së LDK-së kanë bërë homazhe te varri i Presidentit Historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, njeriut që me urtësinë e tij dhe lidershipin e matur bëri që të ndryshojë edhe aspekte të gjeopolitikës globale për të mundësuar shpalljen e pavarësisë dhe krijimin e shtetit të Kosovës.
Mbledhje solemne pati edhe në Kuvendin e Kosovës, ku folën kryeparlamentari Kadri Veseli dhe kryeministri Ramush Haradinaj.
Festa për 11 vjetorin e Pavarësisë vazhdoi me parakalimin e trupave të Forcës dhe Sigurisë së Kosovës.
Për herë të parë pas legalizimit si Ushtri e rregullt e shtetit, FSK-ja u mirëprit nga qindra qytetarë që kishin dalur për të festuar Pavarësinë e Kosovës.
Nën duartrokitjet e qytetarëve dhe tingujt e orkestrës së FSK-së, në qiell u shfaqën disa parashutistë që mbanin në qiell simbolet shtetërore të Kosovës.
Festa për këtë përvjetor të shtetësisë, do të vazhdojë edhe në orët e pasdites.
Rreth orës 18:30 pritet të bëhet ndezja e fishekzjarreve në sheshet e Prishtinës, kurse në orët e mbrëmjes do të ketë një koncert me emrat më të njohur të estradës kosovare. /©Kabllogrami/