Kongresmeni amerikan, Eliot Engel, njëherit drejtues i Komitetit për punë të jashtme në Kongres, i ka dhënë një porosi të qartë Serbisë, duke i thënë se pa e njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës, nuk mund të integrohet në Bashkimin Evropian.
Engel këtë e ka bërë indirekt, duke e porositur Serbinë, që ta trajtojë me shumë kujdes fjalimin e ambasadorit gjerman Christoph Heusgen në Këshillin e Sigurimit.
“Serbia duhet t’i trajtojë me shumë kujdes fjalët e ambasadorit gjerman Christoph Heusgen në Këshillin e Sigurimit të bëra të enjten, sepse nuk do të mund të integrohen në Bashkimin Evropian derisa nuk e njohin Kosovën”, ka thënë Engel.
Citimi i ambasadorit gjerman në OKB nga Engel dhe jo atij amerikan prej nga vjen Engel, mbase mund të interpretohet si kundërshti e tërthortë ndaj ambasadorit të ri amerikan në OKB, i cili kishte një fjalim të vakët për Kosovën që gjasonte me të dërguarin e OKB-së për Kosovën. Me shumë mundësi ambasadori i ri amerikan është vendosur aty nga Boltoni, që e kundërshtonte shpalljen e pavarësisë së Kosovës, prandaj edhe ky diskurs nënçmues nga Engel ndaj tij mund të vetkuptohet.
Ambasadori gjerman në Këshill të Sigurimit e kishte goditur fortë fushatën e Ivica Dacicit kundër njohjeve të pavarësisë së Republikës së Kosovës.
Ai kishte thënë se nuk e kupton një fushatë të tillë të Serbisë, kur për pavarësinë e Republikës së Kosovës ka dhënë mendim edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, dhe se pa e njohur Kosovën, Serbia s’mund të anëtarësohet në BE.
Ambasadori gjerman gjithashtu ka bërë të qartë qëndrimin e prerë të Gjermanisë kundër idesë për korrigjim të kufijve. /©Kabllogrami/