Edhe parlamenti grek ka ratifikuar Marrëveshjen e Prespës me Republikën e tashmë ‘Maqedonisë Veriore’, dhe kësaj të fundit i hapen dyert gjerësisht pas afro tre dekadave të stagnimit për integrime të përshpejtuar euro-atlantike, raporton Kabllogrami.
Parlamenti grek me 153 për dhe 146 kundër, ka ratifikuar marrëveshjen e Prespës, pas disa shtyerjeve të cilat i bëri kryeministri grek Tsipras, derisa u sigurua se i kishte numrat për lëshuar në votim këtë çështje. Nuk munguan protestat para parlamentit grek që ishin kundër kësaj marrëveshjeje, derisa forca të shumta policore kanë siguruar mbarëvajtjen e punës së parlamentit.
Pas ratifikimit të Marrëveshjes së Prespës nga Kuvendi i Greqisë, i menjëhershme ishte reagimi i kryeministri Zoran Zaev, i cili në profilin e tij në FB, ka uruar homologun e tij grek Alexis Tsipras.
“Urime miku im Alexis Tsipras, bashkë me kombet tona shënuam fitore historike. Qoftë e përjetshme Marrëveshja e Prespës, le të jenë të përjetshme paqja dhe procesi i Ballkanit në Evropë”, ka shkruar kryeministri Zoran Zaev në profilin e tij në Facebook. /©Kabllogrami/