Menjëherë pasi i dëshiron të gjitha të mirat Ukrainës, kryeministri maqedonas Zoran Zaev, u rrëfehet 2 komedianëve rusë “të cilët e fusin në kurth”, duke menduar që po flet me presidentin e Ukrainës, Poroshenko.
Kryeministri maqedono verior është në mesin e shumë personaliteteve botërore që ka rënë pre e mashtrimit nga dyshja komike ruse, Vladimir Kuznecov dhe Aleksej Stolarov, raporton Kabllogrami.
Zaevi shfaqet tejet i shqetësuar për planet e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe atij serb, Aleksandar Vuçiq për shkëmbim territoresh, për të cilën ide thotë se është shumë e rrezikshme, dhe se po përkrahet edhe nga Turqia për shkak të ndarjes së Qipros turke dhe nga Rusia për shkak të territoreve që mban të okupuara nga disa shtete fqinje.
“Unë dua të ndaj një shqetësim që kam, për diçka që po ndodh këtu në rajonin tonë, ku presidenti i Serbisë dhe presidenti i Kosovës, kanë nisur disa negociata për ndarjen e territoreve dhe ndryshimin e kufijve. Ne jemi shumë kundër kësaj, kancelarja Merkel është shumë kundër kësaj, i gjithë rajoni është kundër, sepse ne kemi frikë se ka disa qëllime të fshehura të Rusisë për ta përdorur këtë si një praktikë ndërkombëtare. Unë dua që t’ju vë në dijeni juve që të jeni të fokusuar, sepse unë dje kam folur me kancelaren Merkel për këtë. Ne kemi pasur gjysmë orë bisedë telefonike për këtë çështje, sepse unë e shoh që dikush kërkon ta përdorë këtë fenomen si një praktikë të re ndërkombëtare për t’i ndryshuar kufijtë dhe që janë vende që kanë plane të lidhura në këtë drejtim, siç është rasti i Turqisë me Qipron apo si Rusia me Abkazinë dhe Krimenë. Unë jam shumë i shqetësuar se këto lloj hapash do të përbëjnë një dëm të madh, si për rajonin tuaj ashtu edhe për tonin. Ne jemi tërësisht kundër këtij modeli dhe ne do të bëjmë gjithçka. Ne i kemi informuar forcat politike amerikane. Madje, unë e kam informuar edhe vetë zv.presidentin Pence, e shefin e Departamentit Amerikan, z.Pompeo, e ka informuar ministri i Jashtëm. Por, ne u kemi kërkuar zyrtarëve të lartë të Bashkimit Evropian dhe sidomos zonjës Mogherini, që të ndalojë këtë lloj aktiviteti, sepse do t’i shkaktojë një dëm të madh Ballkanit. E di që ky është qëllimi i fshehur i këtij plani global”, ka thënë Zaev në bisedën që ka menduar se po e zhvillon me Poroshenkon.
Zaevi jep detaje për marrëveshjen, duke thënë se Kosova do t’ia japë Serbisë 10 komuna, por paralajmëron se kjo do të nënkuptonte luftë të re në Ballkan.
“Serbia është shumë e lidhur me Rusinë, normalisht që ata e kanë atë lloj raporti. Por, aktualisht, problemi është me Kosovën. Mbase ju e dini këtë çështje. Zgjidhja që po diskutojnë është që 10 komuna në pjesën veriore të Kosovës t’i jepen Serbisë dhe disa komuna në jug të Serbisë t’i jepen Kosovës. Ky është ndryshim kufijsh dhe nuk është i mundur, sepse përtej vijave të reja kufitare sërish ka, andej e këtej kufirit, si serbë, edhe kosovarë, dhe kjo vetëm se do të prodhonte luftëra. Ballkani do të ishte sërish një bombë e kurdisur. Por, përtej kësaj, unë kam parë aktivitete të mundshme të fshehura, ndoshta unë jam gabim, por ne duhet të jemi të fokusuar, sepse disa forca në Rusi, por edhe Turqia kërkojnë ta përdorin këtë si një praktikë të re ndërkombëtare – Rusia për Abkazinë dhe Turqia për Qipron dhe problemet që kanë me Greqinë”, ka thënë më tej Zaevi.
Bisedat janë publikuar në kanalin në YouTube të komedianëve rusë të hënën mbrëma, e të martën në një konferncë shtypi Zaev e ka pranuar që është mashtruar.
Megjithatë është shprehur i lumtur që është në shoqëri të mirë të të mashtruarve, pasi që komedianët më herët kishin folur mes tjerash, edhe me presidentin francez Macron, shefin e NATO-s, Stoltenberg e këngëtarin e madh Elton John.
Komedianët kanë folur edhe me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, por audio nga kjo bisedë nuk është publikuar ende. Ende nuk dihet se a vërtet Zaevi ka rënë vërtetë pre e “komedianëve rus” apo qëllimisht ka dashur që të bëhet publik qëndrimi i tij rreth kësaj ҫështjeje të ndjeshme, përmes “komedianëve rus” – “duke folur me Poroshenkon e Ukrainës”. /©Kabllogrami/