Drejtori i Doganës: Importet nga Serbia e B&H kanë shënuar rënie 99%, sfidë mbetet kontrabanda
Vendimi i Qeverisë për vendosjen e masës 100% për produkte që vijnë nga Serbia dhe Bosnja, ka ndikuar në rënien e importit mbi 99% nga këto dy shtetet.
Drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Bahri Berisha tha se efekti më i madh i këtij vendimi është fuqizimi i prodhuesve vendës, raporton Ekonomia Online.
“Efekti i vendimeve ka pasë rënie mbi 99% të importit nga këto dy vende, në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, nëntor-dhjetor, ka pasë 60 milionë euro import nga këto dy vende, ndërsa tani kemi disa qindra mijëra euro, efekti më i madh është në fuqizimin e prodhuesve vendës”.
“Nëse marrim të dhënat pas vendimit të Qeverisë për masën tregon se kemi një rënie të theksuar të importit nga këto dy vende, në mesatare nga Bosnja ka qenë 8 milionë euro, ndërsa nga Serbia ka pasë 40 milionë euro në bazë të importit “, tha Berisha.
Sfidë për Doganën e Kosovës po mbesin ende kontrabandat, madje ky problem ka shënuar rritje menjëherë pas vendimit të Qeverisë për vendosjen e masës, raporton EO.
“Kontrabanda është një sfidë e të gjitha shteteve të botës, këtë vit kemi mbi 2200 zbulime të veprave penale dhe doganore, mbi 90% kundërvajtje doganore”.
“Nëse flasim pas vendimit të Qeverisë për masën, vërehet një rritje e kontrabandës sidomos në pjesë veriore të Mitrovicë, ne po luftojmë që asnjë mall të futet në kontrabandë përmes rrugëve ilegave”, ka thёnё mes tjerash Berisha. /©Kabllogrami/