Devijimet shpirtërore dhe domosdoshmëria e promovimit të vlerave të reja!

Shkruan: Avni Azizi 

Ka kohë që në shoqërinë tonë, kemi një ndryshim në konceptet e nderit dhe çnderimit. Njeriu  i paturpshëm është shumë i suksesshëm. Ai vjedh, mashtron, gënjen dhe lundron pareshtur në këtë det të hapur të fushës së gangsterizmit. Kështu, për disa super i zgjuar dhe i pasur nënkupton të jesh jashtëzakonisht kriminel!

 

Në hapësirën gjeografike të bërjes së jetës sonë, ka kohë që subjekti i rivlerësimit shpirtërorë, bashkë me kushtet e jetesës është shumë i mprehtë. Kur një shoqëri është e dominuar vetëm nga mendimet materiale dhe përfituese, atëherë shpirti i njeriut të saj fillon të degjenerohet. Në këtë rast vjen në pyetje një moral i përmbysur, sjellja destruktive e njerëzve, një shoqëri korruptuese e cila gjithnjë prodhon një zëvendësim të plotë në mendjet e njerëzve. Morali i dobët bie në kundërshtim me parimet e shëndosha shpirtërore dhe etike etj.

Shpesh një njeri ka sjellje amorale nga fakti se shpirti i tij nuk është i zhvilluar. Dhe kur një person ka shpirt të dobët, ai është i prirë për veprime devijuese dhe të pamoralshme. Kur diçka thyhet në shpirtin e njeriut është vështirë të riparohet dhe standardet morale gërryejnë ndjenjat e asaj të ndërgjegjes dhe të drejtësisë.

Në këto rrethana, ndodh shpesh që sa më i pandershëm të jetë njeriu, aq më lartë ai ngjitet në shkallën sociale madje edhe duke ecur mbi kokat e të tjerëve. Shumë të tjerë përpiqen ti riprodhojnë këto botëkuptime të mbrapshta dhe ti shndërrojnë si normë në prosperitetin personal. Ata vazhdojnë në rrugën e jetës së tyre duke përdorur çdo mundësi edhe pse shpesh në kundërshtim me aftësitë dhe mundësitë e tyre.

Nga kjo rezulton se në shoqërinë e sotme, të jesh i pandershëm është shumë fitimprurëse. Njerëz të tillë depërtojnë në pushtet, madje në të vërtet e bëjnë pushtetin. Mbi këto parime aspak etike e morale ata përcaktojnë madje politikat e gjithë sektorëve të shtetit.

Ka kohë që në shoqërinë tonë, kemi një ndryshim në konceptet e nderit dhe çnderimit. Njeriu  i paturpshëm është shumë i suksesshëm. Ai vjedh, mashtron, gënjen dhe lundron pareshtur në këtë det të hapur të fushës së gangsterizmit. Kështu, për disa super i zgjuar dhe i pasur nënkupton të jesh jashtëzakonisht kriminel.

Çka është më e keqja, pjesa e tillë ka mësuar aq mirë zanatin e autoritetit hipokrit. Ata dinë të flasin edhe për përparime e moralizime, por në praktikë është krejt ndryshe. Njerëzit e tillë dinak, janë dhe duan të duken të pazbuluar para të tjerëve, sepse ata thonë një gjë dhe mendojnë tjetër dhe veprojnë e bëjnë të tretën. Ata ushqejnë korrupsionin, vjedhin buxhetin dhe duke përdorur autoritetin e pushtetit pasurohen çdo ditë duke ulur ndjeshëm standardin e jetesës së klasës së mesme dhe asaj të varfër.

Në fakt në vendin tonë, nuk ka prodhues të vërtet që mendojnë për prodhimin dhe progresin. Ka njerëz me të menduarit e një hajduti apo ndërmjetësuesi tregtar. Njerëz lakmitarë dhe të korruptuar ku veprimtaria e tyre e kapitalit të fituar ilegal shtrihet larg ligjeve të juridiksionit.

Gjendja në vend nuk mund të ndryshohet duke u mbështetur nga hajdutët e rangut të lartë. Shteti penal i udhëhequr nga grabitës dhe zyrtarë të korruptuar, nuk mund të jetë as i drejtë as ligjor dhe as shoqëror. Përqendrimi i kapitalit në duart e klaneve familjare dhe politike nuk toleron ofrimin e kuadrove profesionale e shkencore. Oligarkët kanë nevojë për përfitime të shpejta dhe pa ligje, ata nuk kanë hallin e zhvillimit të shoqërisë. Vektori i të menduarit të tyre është i drejtuar vetëm në pasurim. Ata nuk kanë ideale shtetërore e kombëtare etj.

Edhe kur në ndonjë rast proklamohet shkelja e ligjeve dhe autoriteti i tyre moral mbetet i pa cenuar. Domethënë se këtu është krijuar një standard. Nëse autoritetet vjedhin në krye, ju mund ti vidhni njerëzit në fund. Madje çfarë mund të presim kur njerëzit me procedura të hapura penale, kalojnë në nivelet kryesore të vendit bëhen udhëheqës, deputet, ministra…

Dashuria e duhur dhe mese e nevojshme sikur është kthyer në një urrejtje për varfërimin sa më të madh të qytetarëve dhe vendit. Poshtërsia sikur është bërë normë dhe parajsë për të pa fytyrë, të pamoralshëm, kurvarë, e shkatërrues të shoqërisë të cilët si prioritete të larta kanë vetëm promovimin nëpër poste publike. Ata renditen në pozitat dhe strukturat më të larta të korporatave, bizneseve, udhëheqjeve… Nga ana tjetër njerëzit e ndershëm dhe të mirë nga të cilët mund të ndërtohet shoqëria e vërtet mbahen larg jetës aktive.

Në shoqërinë tonë, nga konceptet e tilla sikur gradualisht është bërë edhe botëkuptimi për vlerësime të mbrapshta. Kështu që një pjesë e njerëzve, të cilët janë shquar sa më veprues në poshtërsi, sa më të thellë në hipokrizi dhe sa më të padrejtë në drejtësi janë cilësuar si të suksesshëm.  Natyrisht, kjo ka shkaktuar indinjatë të fortë, për një shoqëri të civilizuar e normale mes njerëzve të ndershëm.

Këto « elita » së bashku me politikanët oportunistë, në vend se të krijojnë mundësitë fisnike për të ndërtuar një ardhmëri të dinjitetshme për vendin dhe njerëzit, për të reformuar dhe përmirësuar prezantimet e tij, kjo oligarki e korruptuar u bë shumë e magjepsur me përfitime materiale e personale deri në mjerim.

Njerëzit e ndershëm…

 

Një qytetar i ndershëm në shoqërinë tonë, del se nuk i hynë në punë askujt. Ai është i gjykuar dhe i përtallur nga të ardhurat që fiton, jetën që bën (natyrisht jo luksoze) karrierën e tij shpesh edhe vend qëndruese.  Qytetari i ndershëm në shoqërinë tonë ditë e më tepër është duke rënë!  Është duke u kuptuar si njeri i pavlerë!

Në vendin tonë madje sikur është bërë e rrezikshme të jesh i ndershëm dhe të jetosh sipas ndërgjegjes, sepse të jesh një qytetar i ndershëm sikur është e pamundur. Shoqëria me botëkuptime të tilla e konsideron një person të ndershëm sikur të paaftë dhe “një budalla i cili nuk di të jetoj”!

Të jesh vërtet qytetar i ndershëm i një shoqërie të tillë rezulton se nuk do kesh mundësi  të sigurosh as të ardhurat minimale të familjes për të jetuar. Kjo kategori akuzohen vazhdimisht për punën më të vogël që nuk e kanë kryer. Lehtësisht dënohen edhe për shkeljet më të vogla të ligjeve.

Në kohën tonë, janë krijuar diferenca të mëdha mes kategorive të ndryshme qytetare. Për barabarësinë dhe jetën pak a shumë të njëjtë as që mund të flasim. Njerëz të ndershëm të talentuar nuk mund të themi se mungojnë në kreun e shoqërisë, por pjesa më e madhe e tyre janë të ngulfatur nga të pandershmit dhe përfituesit. Andaj, injorant dhe devijues të moralit shoqëror thuaja se kemi  në  çdo rreth të pushtetit. Kemi në ekonomi dhe biznes. Nëpër udhëheqje etj.

Kuptimi i jetës së shumicës së qytetarëve mbetet vetëm kuptimi për të mbijetuar. Përparimet kulturore bëhen dytësore. Arsimimi dhe shkollimi humbin vlerën e vërtet.  Rinia dhe perspektivat e saja bëhen të pashpresa dhe mungon vizioni për të ardhmen… Qytetari kalon në gjendje dëshpëruese.

Njeriu i ndershëm mendon dhe është shumë i drejtpërdrejtë, ai nuk i sheh intrigat e pista që mund të ngrihen kundër tij. Njeriu i ndershëm është edhe një punëtor i zellshëm. Ai është shumë i thjeshtë, ku me mendje të hapur ai shpreh vazhdimisht synimet e sinqerta nëpër biseda dhe vepra të ndryshme.

Vlerat shpirtërore dhe shoqërore

 

Duket sikur shoqërisë sonë i mungojnë ndjenjat dhe marrëdhëniet e shëndosha shpirtërore. Njerëzit duhet të mësojnë aftësinë për të dashur, për të falur, për të respektuar…për të fashitur egoizmin për të treguar tolerancë dhe mirëdashësi. E gjitha kjo është e pamundur pa moralin e zhvilluar dhe pa pasur qëndrim njerëzor mes njëri-tjetrit.  Shoqëria jonë ka nevojë për udhëzime të reja shpirtërore të vlerave. Forca morale duhet të jetë e bashkuar me jetën e njerëzve. Vetëm përparimi humanitar dhe respektues do krijoj udhëzime të nevojshme morale.

Ne doemos duhet të mendojmë për një mënyrë të re. Mendja e njeriut tonë duhet të qeveriset jo nga agresioni, dhuna, përfitimi me çdo kusht, por paqja dhe humanizmi. Njeriu i ri duhet të kuptoj se pasuria shpirtërore e njerëzore është mbi të gjitha.

Përparimi i shoqërisë dhe i një qytetërimi do bëhet i mundur kur hiqen paragjykimet në zhvillimin midis shkencës dhe moralit. Sot, jo vetëm në shoqërinë tonë, por edhe gjithandej shihet se sa më i lartë që duket zhvillimi teknik aq më e rrezikshme është mungesa e kulturës dhe moralit.

Ne duhet të jemi të vetëdijshëm se nga po shkojmë. Duhet të vihet alarmi rreth përmirësimeve të domosdoshme. Shkollat dhe institucionet arsimore janë mese të domosdoshme  që të prezantohen më shumë artikuj humanitar, njerëzorë, moral e qytetar. Kjo do ishte e nevojshme para se gjithash për brezin e ri, adoleshentët e fëmijët, që ata të kanë mundësinë e një edukimi dhe zhvillimi emocional si njerëz dhe personalitete të vërteta, që të zhvillohen aftësitë e tyre me një ritëm të përshpejtuar.

Për të kërkuar moral tek populli dhe shoqëria, vet shteti duhet të jetë i përsosur moralisht, zyrtari ynë duhet të jetë në detyrën më të lartë të mundshme. Prandaj për të ndryshuar diçka nga shoqëria së pari duhet të ndryshojmë suitën udhëheqëse të tij, apo disa nga udhëheqja e cila përkon me këto devijime e shtrembërime njerëzore e shoqërore.

Qytetarit tonë duhet kthyer besimin për shtetin, zvetënimin duhet kthyer në dashuri, duhet kthyer besimin e plotfuqishëm të ligjeve, normave… Dhe kur të gjithë njerëzit që na rrethojnë janë të mirë atëherë është më lehtë të jesh i ndershëm, atëherë është vështirë të vjedhësh veten. Njerëzit moral, gjithmonë përpiqen të thyejnë rrethin vicioz të marrëdhënieve devijuese në shoqëri.

Zhvillimi shpirtëror i qytetarëve nuk duhet të shkatërrohet për shkak akumulimit material. Ky edukim moral dhe botëkuptimet e tilla janë mese të rëndësishme. Kur zhvillohet njeriu zhvillohet e tërë shoqëria. Riorganizimi i një shoqërie ndodh vetëm kur njeriu kreativ gjeneron progresin dhe fillon të veproj në mënyrë aktive.

Në një shoqëri të mirëfilltë, njerëzit rriten jo vetëm si intelektual, por edhe social, humanitar dhe në ndryshime pozitive midis njerëzve. Kur balancohen progresi humaniteti me atë intelektual e shkencor do ndodhin vërtet përparime të shoqërisë. Një njeri moral, human, dhe përparimtar është njeriu i cili është përgjegjës për sjelljen e tij, veprimin dhe punën e tij. Ky duhet të jetë njeriu i ri i cili duhet të aspiron ti jap shoqërisë më shumë sesa mund të vjelë prej saj. /©kabllogrami.com/

 

Lexo edhe

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por mund të zgjedhni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë