Dështon sërish mbledhja e Komisionit për Arsim, për mungesë kuorumi
Papërgjegjësi totale nga ana e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, anëtarë të Komisionit për Arsim, pasi që mbledhja e Komisionit për Arsim ka dështuar të mbahet për mungesë të kourumit.
Kjo papërgjegjshmëri rritet akoma për faktin se greva në arsim ka ç’rregulluar komplet funksionimin e sistemit arsimor në gjithë Kosovën dhe ka lënë nxënësit në shtëpi edhe tash kur po hyjmë në javën e dytë grevës, pa shenja serioze se greva do të ndërpritet, raporton Kabllogrami.
Në rend të ditës së këtij komisioni ka qenë miratimi i raportit të punës së Komisionit për vitin 2018 dhe shqyrtimi i Planit të punës për vitin 2019. Kryetari i komisionit, Ismail Kurteshi, ka thënë se në vazhdimësi ky komision është përballur me mungesë të kourumit.
“Nuk ka kourum, gjë që po ndodh disa herë në komisionin e Arsimit dhe nuk është mirë që po ndodh. “, tha ai.
Në këtë mbledhje morën pjesë deputetët Ismajl Kurteshi, Arbërie Nagavci, Teuta Haxhiu, Albulena Balaj dhe Müfera Srbica – Şinik. Ndërkohë që munguan Driton Caushi, Valentina Bunjaku, Fidan Rekaliu, Abdyl Salihu dhe Verica Ćeranić.
Anëtarët e Komisionit vendosën që mbledhja e ardhshme do të mbahet me 28 janar në ora 14:00. /©Kabllogrami/