Pas dy viteve të anëtarësimit në NATO, Mali i Zi ka shënuar rezultate të rëndësishme, përmes plotësimit cilësor dhe me kohë të detyrimeve. Kjo ka vërtetuar se është aleat i përgjegjshëm, siç është vlerësuar në mbledhjen e Këshillit të NATO-s, ku u mbajt edhe ceremonia e nënshkrimit të deklaratës për përfundimin e procesit të integrimit të Malit të Zi në Aleancë.
Ushtria e Malit të Zi do t’i qaset me profesionalizëm çdo detyre, me qëllim që të arrihen standardet e NATO-s dhe ka treguar se shteti është aleat i besueshëm në Aleancë, ka theksuar në ceremoni Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Malit të Zi, Dragutin Dakiç. Ai ka theksuar se në periudhën e kaluar Mali i Zi i ka realizuar dy prioritete kyçe të politikës së jashtme. “E gjithë kjo e ka rekomanduar Malin e Zi që para dy vitesh të bëhet anëtari i 29.-të i aleancës më të madhe ushtarako-politike në botë dhe sot e gjithë kjo kurorëzohet me nënshkrimin e deklaratës për integrimin e plotë të Malit të Zi në NATO.”
Ndërkaq, Komandanti i Komandës Supreme të Forcave Aleate për Transformim Andre Lanata , ka theksuar me këtë rast se përfundimi i procesit të integrimit të Malit të Zi në NATO është një sukses i shkëlqyer për vendin dhe për Aleancën në tërësi. “ Gjatë procesit të integrimit forcat malazeze i kanë harmonizuar standardet e veta me ato të NATO-s, tha ia. Lanata konsideron se anëtarësimi i Malit të Zi në Aleancë do t’i inkurajojë të gjitha vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, që të nisin rrugën Euro Atlantike dhe të kontribuojnë në arkitekturën Euro Atlantike./VoA /©Kabllogrami/