Përfaqësuesja e Kosovës në futboll do ta luajë sot në mbrëmje, në Sofje kundër Bullgarisë vendëse. Ndeshja do fillojë në 20:45 sipas kohës sonë lokale, derisa Kosova por edhe Bullgaria janë në kërkim të fitores së parë në këto kualifikime, bën të ditur Kabllogrami.
Bullgaria e pret sonte Kosovën në stadiumin kombëtar Vasil Levski në Sofje, në një ndeshje të rrethit të katërt të Grupit A kualifikues për Kampionatin Evropian 2020.
Verdhekaltrit vijnë nga një barazim zhgënjyes me Malin e Zi të premten në Podgoricë dhe kanë udhëtuar drejt Sofjes me katër mungesa shumë të rëndësishme, mesfushorët kryesorë Valon Berisha, Hekuran Kryeziu dhe Herolind Shala, të cilët mungojnë si pasojë e lëndimeve, dhe futbollistin e tyre më të mirë, Arbër Zenelin, i cili u dëmtuar rëndë ndaj malazezëve.
Kosova debutoi në këto kualifikime pikërisht kundër Bullgarisë me një barazim 1:1 në stadiumin Fadil Vokrri në Prishtinë, në muajin mars. Ngjashëm si atëherë, edhe të premten djelmoshat e Bernard Challandes barazuan 1:1 me Malin e Zi dhe tani kanë dy pikë nga po aq ndeshje, në një grup të cilit i prin Anglia me gjashtë pikë.
“Dardanët” janë të pamposhtur në 13 ndeshjet e fundit garuese dhe miqësore, tetë fitore dhe pesë barazime, por nuk e kanë shijuar fitoren në tri ndeshjet e fundit, apo që prej triumfit madhështor ndaj Azerbajxhanit në fund të vitit të kaluar në Ligën e Kombeve.
Bullgaria, ndërkohë, nuk ka fituar në gjashtë ndeshjet e fundit, duke humbur dy herë dhe duke barazuar katër herë të tjera. Për herë të fundit, Kombëtarja bullgare shijoi fitoren në tetor kundër Qipros në Ligën e Kombeve. /©Kabllogrami/