Ekipi përfaqësues i Kosovës në Hendboll – U21, ka shkruar historinë duke u bërë skuadra e parë e Kosovës që fiton pikë në Kampionatin Botëror të Hendbollit. Kjo ka ndodhur këtë të hënë në Spanjë ku po mbahet botërori.
Kosova ka barazuar 29:29 me Bahrejnin në një ndeshje plot emocione mes vendit të fundit dhe parafindit (të pestë dhe atij të gjashtë) në Grupin C të Kampionatit Botëror të Hendbollit 2019.
Rinor Avdulli ishte heroi i pikës së parë të Kosovës të fituar në një kampionat botëror duke i shënuar dy golat e barazimit në fund të takimit 60-minutësh.
Bahrejni po udhëhiqte (29:27) në 90 sekondat e fundit të takimit, por Avdulli ishte shpëtimtari i Kosovës edhe pse skuadra e tij po luante me një lojtar më pak në ato momente.
Kapiteni i Kosovës, Jon Muqolli, ka thënë se kombëtarja verdhekaltër luajti mirë dhe ndihem mrekullueshëm për pikën e parë të fituar në këtë kampionat.
“Është një ndjesi e mrekullueshme. Ne luajtëm mirë dhe e dhamë më të mirën nga vetja. Ne po humbnim deri në minutën e fundit por barazuam dhe kjo është mirë. Kemi mundur të fitonim, por i bëmë disa gabime në sulm dhe në mbrojtje. Jemi të pikëlluar, megjithatë, sepse i kemi humbur ndeshjet e kaluara dhe kjo nuk është në rregull”, tha Muqolli, përcjell Gazeta Express.
Kosova e mbylli fazën preliminare pa fitore dhe tani do ta ketë një ditë pushim para se ta nisë rundin për plasman në njërën prej pozitave nga 17 deri 24. /©Kabllogrami/