Deklarimet e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, se përmes korrigjimit të kufijve Lugina e Preshevës me tri komunat Medvegjë, Bujanovc e Preshevë do t’i bashkohen territorit të Republikës së Kosovës, sipas kryeministres serbe, Ana Brnabiq, nuk kanë të bëjnë asgjë me realitetin.
Ndër të tjera, kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, ka ftuar institucionet e Kosovës që t’i heqin barrierat dhe t’i kthehen dialogut të Brukselit.
“Në Prishtinë është më mirë t’i kthehen realitetit. Le t’i kthehemi dialogut dhe bashkëpunimit, dhe të mos i rrisim pengesat”, ka thënë Brnabic, e pyetur nga gazetarët rreth asaj se Prishtina po kërkon të marrë tri komuna të Serbisë, shkruan gazeta beogradase ‘Novosti’.
Në diskutimet për korrigjim të kufijve dhe shkëmbim të territoreve, presidenti Thaçi vazhdimisht ka deklaruar se do të marrë Luginën e Preshevës pa dhënë asgjë në këmbim për Serbinë.
Megjithatë, është thënë se tri komunat në pjesën veriore, Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin Potoku, do t’i jepen Serbisë në këmbim të Luginës. /©Kabllogrami/