Avokatit Gazmend Halilaj i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh në rastin e skandalit seksual me të mitur që u bë publik ditë më parë nga i njejti.
A kanë zbuluar organet e hetuesisë s’bashku me prokurorinë fakte e zhvillime të reja që e përfshijnë edhe avokatin në fjalë si shfrytëzues të vajzës nga Drenasi për marrëdhënie seksuale, apo është hakmarrje e organeve policore siç po pretendon avokati Halilaj, kjo mbetet të shihet gjatë ditëve në vijim kur pritet të zbardhen të gjitha pretendimet në këtë proces gjyqësor që ka tronditur opinionin gjithandej.
Avokati Gazmend Halilaj, që bëri publik rastin e vajzës së mitur nga Drenasi që akuzonte për keqpërdorim seksual mësuesin Shkëlzen Xhekaj dhe policin hetues Vesel Veseli, do të mbahet në paraburgim për 30 ditë.
Arbër Fazliu, avokat i Gazmend Halilaj, ka bërë të ditur për televizionin T7 se klientit të tij i është caktuar masë e paraburgimit për 30 ditë. Për këtë Fazliu po thotë se do të drejtohen me ankesë në Gjykatë të Apelit.
Sipas Inspektoratit Policor të Kosovës, avokati Gazmend Halilaj është arrestuar nën dyshimin për kryerje të veprës penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare”, “keqpërdorim seksual”, duke keqpërdorur pozitën zyrtare apo profesionin dhe frikësim gjatë procedurës penale.
Kujtojmë se avokati Halilaj ishte ai i cili e kishte dërguar kallëzimin penal në Prokurori në lidhje me rastin ndaj 16-vjeçares, ndërsa momentalisht edhe ai po hetohet si i dyshuar në këtë çështje. /©Kabllogrami/