Arratiset i dënuari për sulmin brutal ndaj Ziadin Selës
Nikolla Vojminovski, i dënuar me 13 vjet burgim për sulmin ndaj kreut të Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, në prill të 2017-s, në Kuvendin e Maqedonisë, është arratisur, sikurse bëri më herët edhe ish kryeministri maqedon Nikola Gruevski.
Vojminovskit ishte dënuar me 13 vjet në shkallë të parë, ndërsa i ishte shqiptuar arresti shtëpiak deri në plotfuqishmërinë e aktvendimit, ndërsa gjatë kontrollit rutinor të policisë, ai nuk është gjetur në shtëpi, shkruan “alsat”.
Gjykata Penale, sipas medieve në Maqedoni, nuk ka demantuar e as nuk ka konfirmuar se Vojminovski është arratisur.
Ndërkohë, Aleanca për Shqiptarët ka reaguar duke thënë “se Maqedonia po bëhet vend i çudirave dhe aty ka gjithçka përveç drejtësisë dhe shtetit ligjor”.
Në reagim thuhet se ikjet e tilla po vrasin shpresën e fundit se në Maqedoni mund të kthehet drejtësia.
“Nikolla Vojminovski edhe pse i dënuar për veprën e rëndë penale është lejuar të qëndrojë në paraburgim shtëpiak gjoja për arsye shëndetësore dhe në këtë mënyrë institucionet e shtetit dhe MPB po dorëzohen përballë kriminelëve dhe të korruptuarve!
Këto ikje të koordinuara dhe të ndihmuara nga pushteti LSDM-BDI me ndihmën e MPB dhe Gjykatave të politizuara, pas Ligjit të Amnistisë dhe ikjes së Gruevskit, po vrasin edhe shpresën e fundit se në Maqedoni se mund të kthehet ndonjëherë drejtësia dhe se krimi në Maqedoni jo që nuk sanksionohet por shpesh herë po inkurajohet madje edhe po shpërblehet, thuhet mes tjerash në reagimin e Aleancës për Shqiptarët.
Në reagim po ashtu ka thënë se ikjet e tilla “tregojnë që burgjet janë ndërtuar vetëm për shqiptarët”. /©Kabllogrami/