Republika e Kosovës ia ka parë sot edhe një herë sherrin Serbisë. Në Asamblenë Gjenerale të EBU-së të mbajtur në Oslo të Norvegjisë, 673 shtete kanë votuar kundër ndryshimeve të Statutit të EBU-së, të cilat do t’i lejonin Kosovës të bëhej anëtare me të drejta të plota në këtë institucion.
Pas këtij votimi, Kosovës i duhet që të presë akoma për t’u paraqitur në Eurovision dhe kështu qytetarët e Kosovës ende padrejtësisht privohen nga e drejta për të pasur këngën e tyre në Eurovision dhe të bëjnë tifo për këngën përfaqësuese të shtetit të tyre.
Nismën për pranimin e Kosovës në Eurovizion e kishin marrë pesë servise publike të rajonit – Mali i Zi, Kroacia, Sllovenia, Maqedonia dhe Hungaria. Ndërkohë, siç raportohet, Hungaria kishte tërhequr nënshkrimin nga kjo nismë. Sipas mediave serbe, anëtaret e EBU-së pranuan argumentin e servisit publik të Serbisë, RTS-së, se “bëhet fjalë për veprim politik, për precedent politik. Se pranimi i saj do të dëmtonte paqen në rajonin tonë dhe përcaktimin e Unionit Radio-difuziv Europian që të jetë profesional dhe jo organizatë politike”.
Pro kanë votuar 400 shtete, ndërsa 113 të tjera kanë abstenuar. Para fillimit të votimit, 17 shtete, përfshirë këtu Greqinë, Qipron, Spanjën dhe Serbinë kanë kërkuar që votimi të bëhej në mënyrë të fshehtë.
Kjo kërkesë ishte miratuar, dhe votimi për kërkesën që të ndryshohet Statuti është bërë në mënyrë të fshehtë, raporton Gazeta Express.
Siç shkruan mediumi ‘eurovisionfun.com’, ky votim e vendos situatën në një kaos , pasi që Kosova vazhdimisht kërkon që të marrë pjesë në Eurovision.
Sipas tyre e vetmja mundësi për t’i hapur rrugë anëtarësimit të Kosovës, është që Prishtina të zgjidh problemet me Beogradin dhe të fitojë pozitën në Kombet e Bashkuara. /©Kabllogrami/