Zahir, Hakif, Edmond: Mbi emrat e tyre jeton pavdekësia

31 Janar 1997 - Në përvjetorët e dëshmorëve të lirisë - 22 vite përjetësi
Shkruan: Avni Azizi

Në përvjetorët e rënies së dëshmorëve të lirisë, kujtimi malli dhembja e krenaria pahetueshëm na mbështjellin në rrugën e ecjes. Rruga vazhdon në pafundësi. Çdo kthesë e rrugicë ekspozitë e pashpallur. Portrete, shkronja e emra të gjakosur. Qëndresë e gurëzuar në ideal. Përpara të shfaqen njerëz të heshtur, mosha të ndryshme. Të çiltër e të buzëqeshur për shokët e miqtë por të rreptë e të rrezikshëm për armikun.

Është kjo tabloja e një brezi ëndërrplagosur ku mes jetës dhe vdekjes së tyre madhështore, uragan i stuhishëm me gjëmë përplaset mbi dyert e hekurta. Mbi kohët e acarta trokëllijnë mijëra hapa dhe nisin marshutën nëpër kodrat e rrahura të maratonës së pa ndalur. Zahir, Hakif dhe Edmond tre emra të zakonshëm, tri biografi të martirizuara në rrugën e lirisë, dhe në agsholin e saj sikur fillojë të buzëqeshë liria, ngase Pestova, Plava, Kodra e Diellit, Untengrupenbahu, Brukseli, Bari e Podgorica edhe më herët kishin parë vënien e gurthemeleve të agimeve të shumëpritura, dhe vezullimi kishte filluar të shkreptinte mbi Llap, Drenicë, Dukagjin, Karadak, Shalë e Anadrin…

Shkëlqimi i krenarisë kombëtare mori krahët e një epoke të re, krismat e pushkëve të lirisë po gravonin dinjitetin dhe kuptimësinë e jetës mbi valomën e gjakut të shpërndarë anekënd atdheut. Era po lozte me shamitë e kuqe në gurët e varreve…

Vigani që hyri në shpirtin e atdheut

Në rininë e tij të pa rini, thellë në shpirt i kishte shpërthyer dufi si vullkan. Ai çdo kund i shihte rrëmbyesit e tokës të cilët çdo ditë pa mëshirshëm po shkelnin mbi lulet e atdheut. Turuçica e Gallapit ishte vendi prej nga ishte nisur për në Olimp. Kështu një ditë kur retë e dendura të qiellit pikonin lot e gjak, ai u nis, kaloi çdo skaj të atdheut dhe bashkëkombëseve u solli vandakun e fletëve të shkruara, që aq shumë u ngjanin zjarrit. Zjarri u rindez por qielli nuk ndryshoi imazhin e tij.

Që nga viti 1989 e këndej Zahiri me shokët i mbanin pushkët të mbushura dhe herë pas here mbi kokat e armiqve shkreptinte rrufeja. Jeta e tyre ilegale ia kishte kthyer maleve bukurinë, ishte kohë kjo kur klasa jonë politike me famozitetin e fjalëve po sprovonte veten për të pushtuar kështjellën e lirisë. Derisa në kryeqytetin e Kosovës së robëruar priteshin e përcilleshin delegacionet “shpëtimtare” të cilat na ndanin mirënjohje për “durimin që na e kishte lakmi bota” ai kushedi për të satën herë bashkë me trimin legjendar po takohej aty ku Drini me Drinin përqafohen.

Për Zahirin kjo rrugë kishte bashkuar çdo kthesë e çdo lis dhe si një freski pranverore ishte palosur në zemrën e tij për të shpërthyer e shumëfishuar anekënd atdheut të shumëvuajtur. Nuk kalonte shtrëngatë ai pa kaluar andej. Ajo rrugë për të ishte bërë pjesë e pa ndashme e jetës. Gjitha ëndrrat e shpresat ia kishte dhuruar asaj rruge. Shpeshherë ndalej e mendonte; Vallë do të jemi të fundit nga brezat ëndërrplagosur që do të kalojmë këtyre rrugëve? Një zë nga brendësia ia shtonte krenarinë dhe kjo ia lumturonte shpirtin deri në paskajësi.

Rruga, shokët dhe luftëtari me emrin Zahir Pajaziti ishin tri pika të ndritshme që kishin filluar të ndriçonin horizontin, ishin yllësi ndriçuese e rrugës që kishte filluar, ishin shakullinë e tmerrshme për monstrumët, kolaboracionistët e spiunët… Zahir Pajaziti që herët kishte vërejtur se përgatitja ideore e luftarake në shkallën më të lartë të organizimit ishin domosdoshmëri e pashmangshme, andaj në frymën e një militanti të paepur jepte gjithçka nga vetvetja për luftën që po fillonte, ai dëshironte që për të, të ishim të përgatitur ushtarakisht e shpirtërisht.

Ai ishte shpirti i aksionit konkret, ndërsa urrejtja dhe përbuzja e tij ndaj armikut dhe dashuria e flakët për lirinë ishin shkrirë në qenien dhe shpirtin e djaloshit. Zahiri punonte vazhdimisht, punonte kurdoherë që i paraqitej edhe mundësia më e vogël. Intensivisht ishte i lidhur me organizimin dhe aksionin. Duke bërë kështu një punë të themeltë, ai kishte depërtuar në thellësitë e shpirtit të atdheut të robëruar.

Ai ishte njëri ndër organizatorët e demonstratave gjithë popullore në Llap dhe që nga ajo kohë nuk e kishte ndalur veprimtarinë. Një herit ishte koordinatori kryesor i formimit të celulave të njësiteve të para guerile të UÇK-së në tërë Kosovën. Kishte krijuar lidhje të forta me shumë shokë për t iu kundërvënë sa më fuqishëm armikut, dhe tërë këto njësite i kishte furnizuar me armët të cilat i kishte sjellë në krah nga Shqipëria. Por jo vetëm kaq, ai vet ishte njeriu që u paraprinte gjitha aksioneve.

Epilogu ose janari i përgjakur

Dëbora dhe pikat e gjakut mbi të kishin filluar t ia dritësonin nurin atdheut, krismat e pushkëve në Kosovë ia kishin ndërprerë Zahirit vizitën në Shqipëri. Fare pa hezituar dhe nga dëshira e madhe që të ishte pranë shokëve u nis në rrugën të cilën shumë herë e kishte rrahur. Ballëlartë kalonte shtigjet e dëborës pa kuptuar se diku larg, një mendje e zezë po përgatiste skenarin që kjo të ishte rruga e fundit e tij. Ende nuk kishte mbaruar janari, muaj ky i Kastriotit, Jusufit, Kadriut, Bajramit, Rexhepit e Nuhiut, kur Zahir Pajaziti bashkë me Edmond Hoxhen nga Juniku dhe Hakif Zejnullahun u gjenden ballë për ballë në pritën e atyre që mendonin se fare lehtë vritet liria.

Kështu në luftën e pa barabartë mes tyre, në fshatin Pestovë të Vushtrrisë tre pishtarë ia falin jetën dhe veprën pavdekësisë së përjetshme. Vdekja e papritur e Zahir Pajazitit do të ngjallë pikëllimin dhe do të shumëfishoj urrejtjen ndaj armikut, të gjithë ata që kanë njohur dhe kanë ditur ta kuptojnë mendimin, idealin e veprimtarinë e tij, dhe ta çmojnë ndikimin e tij mbi epokën tonë. Vdekja e tyre ishte njëra ndër goditjet më të rënda që iu dha UÇK-së, mirëpo ajo ishte e vetëdijshme se dhembja duhej të kthehej në forcë, e forca në krenari kombëtare.

Atdheu përherë do ti skalit në zemër bijtë e bijat e tij, do t u ngritë lapidare të lavdisë, sepse veprat e tyre përherë do të mbeten shembull përball shtrëngatave. Sot në përvjetorin e rënies së dëshmorëve në vend se të pikëllohemi, le të vazhdojmë të mendojmë e veprojmë në frymën e tyre, le të përpiqemi me të gjitha forcat që të realizohet deri në fund ajo që kanë synuar e gjakuar dëshmorët. Vetëm kështu do ta nderojmë kujtimin për ta, sepse vdekja nuk ishte ndëshkimi i tyre ajo ishte vetëm porta e pagjumësisë, për të mbetur në mbamendjen e paharruar dhe për të u balsamuar përgjithmonë në panteonin e lartësisë kombëtare./©Kabllogrami/

Comments (0)
Add Comment