Gazeta amerikane “The Washington Post”, ka shkruar për takimin e djeshëm në mes zyrtarëve të lartë të Kosovës dhe të Bashkimit Evropian. Në këtë takim ku Mogherini dhe kryeministri i Kosovës Haradinaj patën një përballje, konferenca e cila ishte paraparë të mbahet pas takimit ishte anuluar.
E përditshmja amerikane ka raportuar se “Kryeministri i Kosovës ka thënë se vendi i tij ndihet i tradhtuar nga Bashkimi Evropian për shkak se qytetarët e Kosovës janë të bllokuar nga mos liberalizmi i vizave”.
Komentet e Ramush Haradinajt kanë ardhur pas një fjalimi që ai bëri në Bruksel në një takim me zyrtarë të lartë të BE-së, shkruan e përditshmja amerikane “The Washington Post”.
“Qytetarët e Kosovës ndjehen të tradhtuar dhe të zhgënjyer me BE”, ka thënë ai. “Koha nuk është miku jonë. Ne duhet të shënojmë një progres konkret”
Haradinaj ka thënë se edhe pse Kosova ka përmbushur dhjetëra kërkesa shtesë të vendosura nga anëtarët e BE-së, përgjigja e Brukselit është “e pashpresë dhe e paplotësuar”.
Kosova është vendi i vetëm në Evropën Lindore që nuk lejohet të udhëtojë pa viza në vendet anëtare të Bashkimit Evropian. /©Kabllogrami/