Presidenti rus, Vladimir Putin, arriti gjatë ditës për vizitë zyrtare në shtetin e vetëm me raporte të mira në Evropë. Në një ceremoni pompoze në Beograd, Putini u mirëprit nga presidenti serb.
Pas një ekskursioni të vogël nëpër Beograd, Putini ka paraqitur qëndrimin e Moskës lidhur me Kosovën. Një pjesë e madhe e takimit mes dy presidentëve i referohej dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit dhe mundësisë së këmbimit të territoreve, gjë të cilën Rusia e përkrah, raporton KTV. Putin ka thënë se për stabilitet në Ballkan duhet bërë kompromise.
E, për Serbinë, përkrahja e Rusisë ka shumë rëndësi marrë parasysh të drejtën e saj të vetos të KS të OKB-së, ndërkaq është e interesuar të përkrahë marrëveshjen e cila fuqizon rrugën e integrimit të Serbisë në BE. Zyrtarët serbë megjithatë kanë thënë se Putini nuk po e sjell zgjidhjen, por është i interesuar të dijë cila është ajo sipas serbëve.
Vuçiqi, me këtë rast, ka falënderuar presidentin rus për përkrahje në ruajtjen e integritetit të Serbisë.
“E kam informuar presidentin Putin për gjithçka çka po ndodh me Kosovën, përfshirë taksën e padrejtë ndaj produkteve serbe. E kam informuar edhe për formimin e Ushtrisë së Kosovës në kundërshtim me rezolutën 1244. Ai po na përkrah në këtë. Unë i kam thënë se Serbia ishte e gatshme për dialog e kompromise, por nuk do të pranojmë përulje”, ka thënë Vuçiqi.
Ndërkaq, presidenti rus konkludoi se Rusia është e interesuar që stabiliteti në Ballkan të ruhet.
“Sa i përket Kosovës, qëndrimi rus dihet. Ne duam që të arrini marrëveshje të pranueshme për ju me Kosovën, bazuar në Rezolutën 1244 të KS të OKB-së.
Fatkeqësisht, kohëve të fundit, autoritetet në Kosovë kanë ndërmarrë veprime provokuese gjë që tensionoi situatën në rajon. Për këtë e kam fjalën, për formimin e Ushtrisë së Kosovës, e që është shkelje e rezolutës në fjalë e cila nuk e lejon këtë. Rusia e ndan shqetësimin me Serbinë për këto veprime që mund të sjellin destabilizim”, ka thënë Putin.
Në konferencë të dy presidentëve, ai serb tha se shqiptarët qartazi nuk duan kompromis derisa do të konsultohet me Putinin para çdo veprimi tjetër. Vuçiqi, po ashtu, shtoi se nuk ka gjasa që në një të ardhme të afërt të arrihet marrëveshje me Kosovën.
Putini tha se Rusia gjithmonë ka pasur rol në zgjidhjen e çështjes mes Serbisë e Kosovës, por pak ka lëvizur deri tash mes këtyre dy palëve. Ai përmendi mos-formimin e Asociacionit të Komunave serbe.
Putini është pritur në Beograd nga mijëra njerëz që i solli Vuçiq me autobusa falas nga e gjithë Serbia, bile thuhet se ka pasur raste imponimi për të ardhur në Beograd, përkundër që u ka dhënë ditë pushimi.
Kjo është hera e katërt që Putin viziton Beogradin, ndërsa për herë të fundit qëndroi në Serbi në vitin 2014. /©Kabllogrami/