Veton Surroi: Edi Rama të deklarohet qartë nëse është për ndarjen e Kosovës

Publicisti dhe gazetari i njohur nga Kosova, pjesëmarrës në proceset e ndjeshme të krijimit të shtetit të Kosovës,  Veton Surroi, thotë se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama duhet të deklarohet qartë për ndryshimin e qëndrimeve të politikës së jashtme të Shqipërisë dhe për ndarjen e Kosovës në vija etnike, propozim sipas tij i presidentit serb, Vuçiç e i pranuar nga presidenti Thaçi.

Reagimi i plotë i Surroit: “Debati rreth Ministrit të jashtëm të Shqipërisë po merr kahen e tifozërisë, e në tifozëri nuk ka debat. Ka ngritje zëri dhe “dëgjomë mua se nuk ta del mire” apo folklorizëm pro e kundër prejardhjes krahinore a moshës.

Nëse hiqet mënjanë gjuha e stadiumit të futbollit, mbeten pyetje themelore: a duhet të vendoset një ministër i ri sepse duhet të ndryshojë politika e jashtme në mënyrë që të përputhet më afër me vizionin e kryeministrit?

Nëse ky është rasti, atëherë kryeministri duhet të japë në konsultime të gjera me grupacionin e tij politik dhe me Presidentin shpjegimin se çka duhet të ndryshojë në politikën e jashtme të Shqipërisë. Këtu kryeministri mund të ndihmojë në sqarimin se a duhet të përkrahë Shqipëria apo jo ndarjen e Kosovës në vija etnike të propozuar nga presidenti Vuçiq dhe të pranuar nga presidenti Thaçi?

Kjo është një pyetje që nuk i përket as vetëm kryeministrit e as vetëm grupacionit të tij politik, por ka nevojë për një koncensus më të gjerë, përfshirë edhe mendimin e opozitës, zërin e së cilës e ka obligim kushtetues ta dëgjojë Presidenti i vendit”. Kabllogrami/

Comments (0)
Add Comment