Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se janë paguar para në Shqipëri dhe Kosovë në favor të projektit të ndarjes së Kosovës. Pas këtyre lobeve, sipas Haradinajt, qëndron Rusia.
Haradinaj thotë se ky projekt tejkalon një individ, është një agjendë më e madhe.
“Në Shqipëri është lobu me pare për projektin e ndarjes. Gazetarë dhe analistë nga Kosova… kanë hyrë shumë para. Paratë e rusëve që përmendët kanë mbërritur deri te ju, kanë shti pare të madhe me nda Kosovën duke lobuar te mediat, televizionet, analistët, pushtetarët. Ajo është dhe në Kosovë. Është agjendë më e madhe”, tha Haradinaj, në një intervistë në ‘Ora News’.
“Putin është munduar disa herë të legjitimojë disa aneksime në perimetrin e vet. Presidenti Putin punon intensivisht me ia bashkue Republikën Srpska Serbisë. Ajo është një Putin Republikë. Kur thotë Vuçiq se nuk njoh kufirin mes serbëve në Bërnjak dhe Jarinë, dy kufijtë veriorë të Kosovës, ai po aludon dhe në kufijtë mes Serbisë dhe Srpska Republikës. Paratë e rusëve janë ato që lobojnë për ndarje”, tha ai.
“Na thuhet se është vetëm një kodër. nuk është ashtu, janë 500 miliard rezerva të xehes në veri të Kosovës. Vetëm vrima e Trepçës nuk ka vlerë të madhe. Kushdo që në Shqipëri vjen dhe ju shpjegon si me dhënë një pjesë të veriut dhe me u nda nga Serbia dhe me u bashkue me Shqipërinë është duke bërë punën e rusëve. Janë paratë e Rusisë. Kushdo që vjen nga Kosova dhe ju thotë të njëjtën gjë, është po ashtu”, tha ai.
“Kushdo që kyçet me hap kufijtë ndihmon Putin, kushdo që lëviz me kufijtë është në agjendën e Putinit. Me ju thënë shqiptarëve jepni veriun 500 miliardë, ku Shqipëria buxhetin vjetor e ka 4 miliardë dhe Kosova 2 miliardë. Krejt është kalkulim i agjenturave të Moskës, në të cilën kanë rënë në grackë plot në Kosovë dhe në Shqipëri dhe kanë marrë paret e tyre”, tha kryeministri Haradinaj.
Haradinaj ka goditur edhe njëherè Shefen për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, duke thënë se kryediplomatja e Brukselit me qëndrimet e saj në dialogun me Serbinë është rradhitur mes armiqve të Kosovës.
“Ajo ka devijuar diskutimin. Në vend që të flitet për marrëveshje me Serbinë për njohje, ajo e ka devijuar diskutimin në territore dhe kufij. Ajo është armike e vendit tim”, ka deklaruar kryeministri kosovar.
“Mua më vjen shumë mirë për qëndrimin e palëkundur të kancelares Merkel. Por nuk është vetëm kancelarja Merkel. Mos harro, mbi 90% e vendeve të BE-së janë kundër. Për këtë kam thënë që kryeministri i Shqipërisë, Rama, Presidenti Thaçi kanë hyrë në agjendë të gabuar”, është shprehur Haradinaj. /©Kabllogrami/