Veseli: “Trepça është e drejtë natyrore e shtetit të Kosovës. Sot dhe përgjithmonë”

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka thënë se Trepça, as nuk ka qenë, as nuk është dhe as nuk do të jetë çështje e hapur në dialogun me Serbinë. Reagimi i tij pason atë të Qeverisë së Kosovës, në të cilin cilësohej si i papranueshëm reagimi i Bashkimit Evropian lidhur me miratimin e Statutit të Trepçës nga ana e Kuvendit të Kosovës, përcjell Kabllogrami.

Kryetari i Kuvendit, Veseli përmes një postimi në Facebook ka thënë se “me këtë gjuhë, BE-ja është duke e rrënuar çdo perspektivë të dialogut dhe fqinjësisë së mirë”.

“Trepça, as nuk ka qenë, as nuk është dhe as nuk do të jetë çështje e hapur në dialogun me Serbinë. Me këtë gjuhë, BE është duke e rrënuar çdo perspektivë të dialogut dhe fqinjësisë së mirë. Trepça është e drejtë natyrore e shtetit të Kosovës. Sot dhe përgjithmonë”, ka shkruar Veseli në Facebook.

Reagimi nga autoritetet në Prishtinë bëhet një ditë pasi zëdhënesja e Komisionit Evropian, Maja Kocijançiq, u citua nga agjencia serbe e lajmeve Tanjug të ketë thënë se “të gjitha çështjet ndërmjet dy palëve duhet të zgjidhen përmes finalizimit të dialogut”. Deklarata e saj ndërlidhej me miratimin e Statutit të Trepçës nga Kuvendi i Kosovës. /©Kabllogrami/

Comments (0)
Add Comment