Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, sot ka thënë se Rusia është duke shkuar drejt njohjes së Kosovës. Këtë kryeparlamentari Veseli e tha gjatë konferencës së mbajtur sot ku komentoi takimin e presidentit të Rusisë, Vladimir Putin në Serbi, ku u takua me presidentin Aleksandar Vuçiq.
“Ne jemi me Amerikën, fqinji jonë po pretendon me qenë mirë me partnerët tanë por po i hapë dyert Rusisë. Rusia është duke shkuar drejt njohjes së Kosovës. Kosova do të jetë në organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe po punojmë shumë. Opozita duhet t’iu bashkëngjitet proceseve”, tha Veseli, transmeton Koha.net.
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, gjatë bisedimeve në Beograd paraqiti qëndrimin e Moskës për Kosovën. “Ky qëndrim është i qartë, konsistent dhe i bazuar në kornizat e të drejtës ndërkombëtare përfshirë edhe ato që gjenden në Rezolutën e KS të OKB-së 1244”.
“Rusia do të përkrahë me kënaqësi zgjidhjen e pranueshme tek e cila do të arrinin Serbia e Kosova në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe e konfirmuar në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, kishte thënë Putin gjatë qëndrimit në Beograd. /©Kabllogrami/