Në kuadër të 550 vjetorit të vdekjes së heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, edhe artistët tanë të shquar, po i bashkëngjiten shumë projekteve për të shënuar me dinjitet këtë datë të rëndësishme nga mbamendja jonë kombëtare, shkruan Kabllogrami
Këngëtari, kompozitori dhe autori i tekstit, Ilir Shaqiri, bashkë me këngëtarët Arif Vladi dhe Nikolë Nikprelaj, së shpejti do të editojnë këngën me titull “Kalorësi i lirisë” me muzikë dhe orkestrim nga Edmond Zhulali. Pjesë e këtij projekti do të jetë kori dhe orkestra revyale e Prishtinës me dirigjent Valton Beqirin e regjisor Astrit Idrizin, kurse realizimi – RTV 21.
“Kalorësi i lirisë” pritet të jetë një realizim brilant meqë, autorët e kësaj kënge janë artistë të dëshmuar të skenës shqiptare.
Projekti është në realizim e sipër, kurse do të vijë para audiencës në fillim të nëntorit.
Të përkujtojmë se me vendimin e Qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë, ky vit, në tërësi është shpallur Viti i Skënderbeut. Ndërsa ky është teksti i ‘Kalorësit të lirisë’ që nga njohësit e muzikës së mirëfilltë, pritet të jetë një kryevepër muzikore.
Në një postim në Facebook, Edmond Zhulali ka shkruar se kjo këngë është dedikim për heroin kombëtar shqiptar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu.
“Të dashur miq, dua t’u prezantoj këngën time më të re ‘Kalorësi i Lirisë’ kushuar heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu”, ka shkruar ai.
Kalorësi i lirisë
Toka e qielli po lëshojnë flakë
Vetëtinë e tundet dheu
300 burra luftëtarë
Po u prin Skënderbeu…
Vjen kushtrimi anembanë
Bijtë e Arbrit po i thërret
Hapen shtigjet nga çdo anë
I bekoi Zoti vet!
Ulen shqipet mbi kështjella
Kuvendojnë prijësit shqiptarë
Shpata Gjergjit si rrufe
Ndër beteja fitimtar…
……………..
Sa beteja i fituam
I ka njohur historia
Shpëtimtar të njeh Evropa
Dritë në sy të ka liria!
Lart në qiell të rri lavdia
Krenaria jonë ti je
Kur më pyesin nëpër botë
Jam shqiptar – Skënderbe!
Refreni:
Skënderbe o princ shqiptar
Monument në histori
Je shqiponjë e diell mbi mal
Në atdheun kuqezi!
O kalorës i lirisë
Krenaria jonë kombëtare
Rreth flamurit të bashkimit
Me ty vjen…
Me ty vjen besëlidhja e madhe! /©kabllogrami.com/