Ish-ministri i Jashtëm gjerman, Klaus Kinkel ka vdekur dje, në moshën 82-vjeçar. Kështu ka njoftuar lideri i Partisë së Lirë Demokratike, Christian Lindner, shef i së cilës Kinkel ka qenë dikur.
Për shumë vite, ai ishte një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të ish-ministrit tjetër të Jashtëm gjerman, Hans-Dietrich Genscher.
Kinkel e mori postin në vitin 1992 dhe e mbajti për gjashtë vjet.
Kinkel kishte studiuar për jurisprudencë dhe kishte filluar punë në Ministrinë e Brendshme pas diplomimit, pastaj nga viti 1979 në Shërbimin Sekret Gjerman (BND). Në vitin 1993, Kinkel duke qenë kryediplomat i shtetit gjerman u bë edhe zëvendëskancelar në vitin 1993.
Në vitin 1998 kur Kosova ishte në luftë dhe përshkallëzimi i terrorit nga okupatori serb po rritej deri në gjenocid, ai kishte kërcënuar hapur me intervenim ushtarak Serbinë në krye me paraardhësin e Vuçiqit, presidentin e atëhershëm serb Milosheviq, duke thënë se NATO-ja është e përgatitur që të zgjidh krizën.
Në një fjalim para liderëve botërorë të mbledhur në Asamblenë e Përgjithshme, që citohet nga Associated Press më 22 shtator 1998, të cilin e risjellë koha.net, ministri i Jashtëm gjerman, Klaus Kinkel, kishte dënuar përdorimin e forcës nga trupat e Millosheviqit dhe nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës. UÇK-ja po lufton për pavarësi të Kosovës, ku shqiptarët etnikë përbëjnë 90 për qind të popullatës. “Pjesa më e madhe e përgjegjësisë për këtë dramë bie mbi Beogradin, me Presidentin Millosheviq”, kishte thënë Kinkeli. “Ai duhet të kuptojë se komuniteti ndërkombëtar do të reagojë me forcë ushtarake nëse është e nevojshme”, kishte thënë Kinkel në atë kohë, gjë që ndodhi disa muaj më vonë, por në vend të Kinkel pas zgjedhjeve në Gjermani, kryediplomat gjerman ishte zgjedhur Joschka Fischer. /©Kabllogrami/