Unikkatili e Shkurte Fejza “bashkojnë trojet shqiptare dhe Mitrovicën”  

Unikkatili doli tepër vonë në skenë, diku rreth mesnatës për të performuar tek disa këngë, duke lënë publikun në pritje, të cilët të shumtë në numër kishin paguar goxha para për këtë koncert. Unikkatili pati edhe një mesazh politik –bashkimin e trojeve shqiptare dhe Mitrovicës. Për ta forcuar këtë ndjenjë kishte angazhuar edhe Shkurte Fejzën për ta kënduar një nga hitet e para 20 viteve “Jo nuk ndahet Mitrovica”, këngë e cila s’është më hit qe nja 10-15 vjet. E asaj në këndim i ndihmonte i pari i jugut të këtij qyteti, Agim Bahtiri. A ishte punë patriotizmi apo trashje e xhepave, mbetet për t’u vlerësuar, me pyetjen se a u bashkua vërtet Mitrovica pas këtij koncerti?

‘Kingu i repit shqiptar’ konsiderohet Unikkatil nga ndjekësit e tij. 25 mijë njerëz kishin ndjekur koncertin e tij të parë në Kosovë, të mbajtur në Prishtinë në vitin 2013. Atëherë ishte thënë se ky do të jetë koncerti i tij i parë dhe i fundit në Kosovë.

Gjashtë vjet më vonë Viktor Palokaj, i njohur si Unikkatil, u rikthye në Kosovë. Të shtunën e 27 korrikut, në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë, ai mbajti koncertin për të cilin u tha se do të shënojë edhe përfundimin e karrierës së tij. Kjo u mohua gjatë koncertit, i cili pati edhe një mesazh politik –bashkimin e trojeve shqiptare dhe Mitrovicës. Kështu e nis një shkrim të saj, në botimin e sotëm e përditshmja“Koha Ditore”.

Hyrjet e stadiumit “Adem Jashari” të shtunën u vërshuan nga njerëzit, të cilët dëshironin që ta përcillnin koncertin, i cili përveç Unikkatilit dhe disa prej anëtarëve të “The Blody Alboz”, bëri bashkë edhe artistë të tjerë.

Kur ora shënoi 22:00, disa nga njerëzit e publiku po hynin live në rrjetet e tyre sociale. Ata ndanin me miqtë e tyre se çfarë po ndodhte. Publiku që kishte dhënë nga 100 euro për të parë koncertin, në pritje të artistit filluan që të hapnin shampanja. Në tokë, të tjerët që kishin paguar nga 50 euro kishin hapësirë të mjaftueshme. Disa madje ishin ulur në tokë e të tjerët ishin shtrirë duke pritur idolin e tyre.

Ata që kishin paguar 20 euro qëndronin të ngjeshur për njëri-tjetrin, thërrisnin herë pas herë “Unikkatil” apo “T.B.A”. Hapja e rrethojave për t’i lejuar këta të fundit që të afroheshin te skena, pak minuta pas orës 22:00, krijoi përshtypjen se artisti mund të dilte së shpejti në skenë. Hapësira në mes u mbush nga publiku, mirëpo edhe dy orë të tjera kaluan derisa Unikkatili doli.

Në vend të artistit paraprakisht në skenë ka interpretuar këngëtarja Shkurte Fejza. Ajo u shoqërua nga katër djem, të cilët ishin veshur me të zeza e në kokë mbanin plisin. Dy prej tyre e valëvitnin flamurin kombëtar.

“Kam kënaqësinë që edhe unë sonte po ndaj këto momente me ju. Momente të mrekullueshme të koncertit të Unikkatilit”, ka thënë Fejza para publikut. Në skenë asaj iu bashkëngjit edhe kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri. Ai këndoi së bashku me këngëtaren Fejza këngë mjaft patriotike në qytetin i cili njihet për probleme politike në mes të serbëve dhe shqiptarëve. “Jo nuk ndahet Mitrovica”, “Xhamadani vija- vija” e “Oj Kosovë o nëna ime”, ishin disa prej tyre…

Mbetet të shihet impakti, se a mund të bashkohen me këngë trojet tona, përfshirë Mitrovcën. /©Kabllogrami/

Comments (0)
Add Comment