Sot ёshtё organizuar njё tryezё nga Lëvizja Vetёvendosje pёr tё shёnuar 75 vjetorin e e njё ngjarjeje tё rёndёsishme historike pёr popullin shqiptar, tё njohur si ‘Konferenca e Bujanit’. Konferenca e Bujanit ka nisur punimet më 31 dhjetor 1943 dhe ka përfunduar më 2 janar 1944, në të cilën është nënshkruar një rezolutë, ku Kosovës i njihej e drejta e vetëvendosjes dhe realizimi i dëshirës së popullit shqiptar të Kosovës për bashkim me Shqipërinë.
Konferenca u mbajt në kullën e Sali Manit, Bajraktarit të Krasniqes, ku ndodhej edhe Shtabi i UNÇ-së të Kosovës të Komitetit Krahinor për Kosovë dhe Rrafsh të Dukagjinit. Në Konferencë morën pjesë 49 delegatë që përfaqësonin të gjitha viset dhe shtresat shoqërore të Kosovës. Midis pjesëmarrësve kishte komunistë, nacionalistë dhe atdhetarët të tjerë demokratë, përfaqësues të Forcave të Armatosura, të rinisë e të gruas antifashiste. Konferenca shqyrtoi tri ditë radhazi problemet që dilnin nga lufta kundër pushtuesit. Ajo zgjodhi kryesinë prej 9 vetash: Mehmet Hoxha (kryetar) ish-prefekt i Elbasanit, Rifat Berisha (nënkryetar) ish-Prefekt i Gjilanit, Pavle Joviçeviq, nënkryetar, Tefik Çanga, sekretar, ndërsa anëtarë u zgjodhën: Xheladin Hana Fadil Hoxha, Hajdar Dushi, Zekeria Rexha, Milan Zeçari dhe Ali Shukriu.
Në tryezën tё cilёn e udhёhoqi kryetari i LVV-sё, Albin Kurti, morën pjesë veteranë të luftës antifashiste nacional-çlirimtare, përfaqësues të organizatave të veteranëve të luftës, ish-të përndjekur dhe ish-të burgosur politik, historianë, studjues dhe veprimtarë të çështjes kombëtare. 75 vjetori i Konferencës së Bujanit qëndron mes 100 vjetorit të formimit të Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës dhe 50 vjetorit të Lëvizjes së vitit 1968, tha Albini nё hapje tё tryezёs.
Konferenca e Bujanit është një ngjarje historike, qendrore dhe përbashkuese për historinë e përpjekjeve të popullit shqiptar për çlirim e vetëvendosje, bashkim e për paqe. Organizimi i saj erdhi si rezultat i dëshirës dhe i vullnetit që fati i Kosovës të përcaktohej sipas parimit demokratik të vetëvendosjes dhe se bashkimi me Shqipërinë do të duhej të ishte jo vetëm dëshirë, por edhe e drejtë e garantuar. Konferenca u mbajt në kushte lufte, ku brenda rreshtimit të drejtë historik në luftën antifashiste u pa e domosdoshme që lufta antifashiste do të duhej të pasohej nga e drejta e popujve për vetëvendosje. Sipas këtij parimi, organizimi në Bujan shërbeu për përcaktimin e pjesmarrësve për këtë të drejtë dhe për organizimin e tyre deri në realizimin e saj bashkë me bashkimin kombëtar.
Në tryezë u përmend dhe u analizua fakti se kjo mbledhje historike përforcoi karakterin unitar të Kosovës si territor, si entitet politik dhe si vullnet popullor. Konferenca hidhte poshtë idetë që qarkullonin në atë kohë për ndarjen e Kosovës. Po ashtu, përgjatë tryezës u tha se organizimi i Konferencës së Bujanit, pas angazhimit në luftën antifashiste, u dallua nga tradita e mëparshme e pushteteve kolaboracioniste vendase me pushtetet fashiste. Kjo ia rriti legjitimitetin konferencës dhe përpjekjes së shqiptarëve si në raport me luftën ashtu edhe pas saj; ky fakt e përforcoi karakterin e drejtë të përpjekjeve tonë për çlirim, vetëvendosje, bashkim kombëtar dhe barazi ndërkombëtare. Të pranishmit në tryezë treguan edhe për rëndësinë e kësaj ngjarjeje për angazhimet e pasluftës në Kosovë si pikë referimi dhe pikë mbështetjeje në të njëjtat përpjekje të pandalshme.
Në përfundim të tryezës Kryetari i Lëvizjes Albin Kurti pёrmblodhi konkluzat nga prezentimet dhe diskutimet nё tryezё, duke vёnё nё pah vlerat dhe rëndësinё e Konferencës së Bujanit nё disa dimensione:
- Është rreshtimi i duhur historik në luftën antifashiste nacional-çlirimtare dhe kontributi i të angazhuarve në këtë luftë për organizimin e konferencës;
- Është thyerja e traditës së pushteteve të atëhershme kolaboracioniste me pushtetet fashiste;
- Është vendimi politik për të drejtën e popullit shqiptar për vetëvendosje;
- Është pjesëmarrja e të gjitha shtresave shoqërore, krahinave të Kosovës dhe e pakicave kombëtare;
- Është vendimi për të drejtën dhe përpjekjen drejt bashkimit kombëtar, bashkimit me Shqipërinë;
- Është ndikimi për formimin e lëvizjeve politike të pasluftës së dytë botërore që vazhduan të përpiqeshin për realizimin e parimit të vetëvendosjes së popullit në rezistencë, legale dhe ilegale të kohës; dhe,
- Është karakteri gjithëpërfshirës në organizimin e konferencës dhe gjithashtu mobilizimi për qëllime universale.
Konferenca e Bujanit dhe Rezoluta e saj u shfuqizua në gusht të vitit 1945 në Konferencën famёkeqe tё Prizrenit, nёn gjendjen e jashtёzakonshme tё shtet-rrethimit ushtarak tё Jugosllavisё sё asaj kohe, ku të pranishmit, kësaj radhe shumë komunistë serbë e malazez tё ardhur me direktivё, me shumicë, votuan një rezolutë tjetër, e cila parashihte që Kosova të mbetej nën Serbi, ashtu sikur kishte qenë në Jugosllavinë e Versajës, meqë komunistët jugosllavë e kishin ruajtur tërësinë territoriale të Jugosllavisë monarkike dhe u kishin mohuar shqiptarëve të drejtën për Vetëvendosje. /©Kabllogrami/