Mediat amerikane po raportojnë se presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka diskutuar me ndihmësit e tij, mundësinë e blerjes së Grenlandës nga Danimarka, transmeton Gazeta Online Kabllogrami.
Wall Street Journal dje më 15 gusht raportoi se Trump “ka shprehur vazhdimisht interes” për blerjen e Grenlandës, një territor autonom nën administrimin e shtetit të Danimarkës.
“Trump ka pyetur këshilltarët nëse SHBA-ja mund të përvetësoj Grenlandën, e vlerësuar si territor me interes për burimet e saja të shumta dhe rëndësinë gjeopolitike dhe, sipas dy burimeve, Trump ka kërkuar nga këshilltarët e Shtëpisë së Bardhë që të shqyrtojnë idenë”, raportoi WSJ.
Raporti, duke përmendur burime pa emër, thotë se disa nga këshilltarët e Trump e kanë mbështetur idenë si një veprim të mirë ekonomik, ndërsa “të tjerët e hodhën poshtë atë”.
Grenlanda ka një popullsi prej rreth 56.000 njerëz dhe është një pjesë vetë-qeverisëse e Danimarkës. Pushteti vendor merret me punët e brendshme, por politikat e jashtme dhe ato të sigurisë trajtohen në Kopenhagë.
Shtetet e Bashkuara kanë tashmë një bazë masive ushtarake në Grenlandë.
Në vitin 1946, Shtetet e Bashkuara u ofruan të blinin ishullin gjigant nga Danimarka për 100 milion dollarë, por marrëveshja u refuzua. /©Kabllogrami/